Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), Hekuran Murati së bashku me Drejtorin e Zyrës për Kosovë të Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), Moritz Remé dhe Kryeshefin e Kompanisë rajonale të Ujësjellësit Prishtina (KRUP), Arsim Fetahu, kanë nënshkruar të premten një marrëveshje në vlerë 13.2 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza në kuadër të Projektit “Përshtatja e Zhvillimit Urban me Kushtet Klimatike dhe Menaxhimi i Ujërave të Zeza në Prishtinë”.
Në komunikatë thuhet se mbështetja financiare e nënshkruar sot i shtohet marrëveshjes fillestare të grantit me vlerë 28.8 milionë euro e nënshkruar në dhjetor të vitit 2022 duke e bërë vlerën totale të grantit 42 milionë euro.
Sipas komunikatës projekti ndër të tjera siguron se zhvillimi urban në Kosovë realizohet në përshtatshmëri me ndryshimet klimatike dhe standardet ndërkombëtare për cilësinë e ujit.
Përgjatë ceremonisë së nënshkrimit të dyja palët shprehën përkushtimin për zbatimin e projekteve aktuale si dhe thellimin e mundësive të bashkëpunimit në të ardhmen.