Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga nënkryetarja, Saranda Bogujevci, ambasadori Skënder Durmishi dhe këshilltarët, priti sot në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i cili së bashku me bashkëpunëtorët po qëndron për një vizitë zyrtare në vendin tonë me rastin e përmbylljes së mandatit të tij.
Kreu i Kuvendit dhe presidenti Meta shkëmbyen mendime për zhvillimet në rajon dhe më gjerë, ecurinë e proceseve integruese dhe domosdoshmërinë e bashkërendimit të veprimeve përballë proceseve që kanë përpara vendet tona.
Kryetari Konjufca i shprehu mirënjohje presidentit Meta për bashkëpunimin dhe mbështetjen që i ka dhënë Kosovës jo vetëm si president i Shqipërisë, duke i dëshiruar suksese në angazhimet e ardhshme.
“Gjithçka e lidhë Shqipërinë me Kosovën. Tërësia identitare, historia, gjuha, besimi, kultura, tradita, zakonet, interesat dhe perspektiva euroatlantike. Është e rëndësishme të bashkëpunojmë sa më shumë, t’i fuqizojmë sa më parë marrëveshjet e ndërsjella dhe të mos krijojmë debate të panevojshme”, theksoi presidenti Meta.
Më pas, presidenti Ilir Meta iu adresua deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës në një seancë të veçantë, e cila u organizua me rastin e vizitës së tij të fundit në këtë detyrë.?