Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta bashkë me bashkëshorten Monika Kryemadhi dhe fëmijët votuan sot në kopshtin e numër 31, në rrugën “Pjetër Bogdani” në zonën e ish-bllokut.
Pas votimit, Meta luti qyetarët të të marrin pjesë në zgjedhje, sepse siç tha ai, nuk ka ndryshim pa pjesëmarrje.
“Njëkohësisht, gjëja më e rëndësishme, e drejta më e fuqishme që ka një qytetar në demokraci është vota, ajo është themeli i lirisë, i dinjitetit edhe i fuqisë së tij. Një qytetar që nuk e ushtron këtë të drejtë, nuk ka të drejtë as të ankohet dhe as të kërkojë llogari. Prandaj, ushtrojeni këtë të drejtë sot dhe vetëm përmes pjesëmarrjes, vetëm përmes kësaj mundësie të shkëlqyer që ju garanton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ju mund të bëheni pjesë e ndryshimit dhe t’u kërkoni llogari të gjithëve.”, tha Meta.
Në Shqipëri mbahen sot zgjedhjet lokale, ku rreth 140 kandidatë do të synojnë të marrin drejtimin e 61 bashkive në tërë Shqipërinë.
Ndërsa, Partia Demokratike e Shqipërisë, e përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, gjithashtu do të jetë në garë në disa bashki.
Në 44 bashki do të garojnë nga dy kandidatë, në 14 bashki do të jenë nga 3 kandidatë, ndërsa në Sarandë do të jenë 4 kandidatë.