Mësohet origjina e sulmuesit në tregun e Krishtlindjes në Gjermani
Bota
Lexohet për: 2 min.
Mësohet origjina e sulmuesit në tregun e Krishtlindjes në Gjermani
1 javë më parë
Linku u kopjua

Mediat gjermane kanë dalë me detaje rreth sulmuesit të arrestuar në Magdeburg të Gjermanisë.

Duke iu referuar burimeve të sigurisë, gazeta Welt raporton se bëhet fjalë për një burrë të moshës 50-vjeçare nga Arabia Saudite, por pa e përmendur emrin.

Sipas raportit, ai kishte marrë me qira një makinë para krimit, të cilën më pas e kishte futur në tregun e Krishtlindjes.

Sipas Welt, në ulësen e pasagjerit është gjetur një bagazh, por është e paqartë nëse mund të ketë një mjet shpërthyes aty.

Autoritetet nuk e kanë përjashtuar ende këtë skenar. Policia po kontrollon edhe nëse shoferi ka vepruar i vetëm.

Makina BMW të cilën shoferi e kishte vozitur "të paktën 400 metra nëpër tregun e Krishtlindjes" është ende në vendin e ngjarjes, tha një zëdhënës i policisë.

Sipas Bild, raportohet për 11 të vdekur dhe 80 të lënduar dhe se policia po kërkon eksploziv në zonën e rrethuar të tregut.

Sipas MDR, të gjitha spitalet në Halle an der Saale, rreth 80 kilometra larg, po përgatiten gjithashtu për të pritur të lënduarit. Të gjithë helikopterët e shpëtimit në zonën e Halle po fluturojnë në drejtim të Magdeburgut.

Tregu i Krishtlindjes ndodhet në Alter Markt, direkt në bashkinë e Magdeburgut pranë lumit Elba.

Në mbrëmje në platformën X u shfaqën video ku shiheshin automjete të shumta emergjente. Një dëshmitar okular ka treguar për “Volksstimme” se sulmuesi kishte shkuar me makinë në zonën e tregut ku shumë familje janë në lëvizje.

Kancelari Olaf Scholz gjithashtu reagoi me shqetësim duke thënë se "mendimet e tij janë me viktimat dhe të afërmit e tyre”.

“Ne qëndrojmë në krah të tyre dhe në krah të njerëzve të Magdeburgut. Falënderimet e mia shkojnë për punonjësit e përkushtuar të shpëtimit në këto orë ankthi," shkroi Scholz në X.

Akti kujton sulmin terrorist në Berlin, më 19 dhjetor 2016, kur një person rrëmbeu një kamion dhe u fut në treg, duke lënë 13 të vdekur dhe mbi 70 të lënduar. Sulmuesi iku drejt Italisë, ku u qëllua për vdekje nga policia.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024