Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë këtë të shtune ndeshjen si mysafire kundër Zvicrës, përballje kjo e vlefshme për kualifikimet drejt Kampionatit Evropian Euro 2024.
Kosova luan të shtunën në Bazel si mysafire e “Helvetikëve” me misionin e vetëm te tre pikët, raporton KosovaPress.
Tani, tifo-grupi “Dardanët” ka reaguar përmes një postimi në “Facebook”, duke paralajmëruar se do të jenë të shumtë në numër dhe të zhurmshëm në Zvicër.
“Në Basel të shtunën luajmë një ndeshje jetike, pasi matematikisht jemi akoma në garë për t’u kualifikuar. Deri në frymën e fundit duhet të besojmë dhe t’u qëndrojmë pranë lojtarëve tanë. Pasnesër do të jemi të zhurmshëm dhe të shumtë në Zvicër për ta shtyrë kombëtaren tonë drejt një suksesi shumë të dëshiruar. Kemi bërë përgatitjet e duhura në çdo plan që zëri ynë të dëgjohet, por edhe mesazhet tona nuk do të mungojnë. Në besim në vend, në kombëtare dhe në ëndrrën që akoma është aty, edhe pse për ta arritur nuk është lehtë. Derisa jemi aty, në garë, ne duam të besojmë. Tre pikë dhe vetëm tre pikë kundër Zvicrës”, shkruante në postimin e “Dardanëve”.