Memoriali “Adem Jashari” në kryeqytet, projekti fitues si simbol i përhershëm i lirisë dhe sakrificës
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Memoriali “Adem Jashari” në kryeqytet, projekti fitues si simbol i përhershëm i lirisë dhe sakrificës
rama 1234
08/06/2026 - 17:09
Linku u kopjua

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bëri të ditur se është shpallur projekti fitues i konkursit për ndërtimin e Memorialit përkujtimor “Adem Jashari” në kryeqytet.

Sipas Ramës, koncepti i vlerësuar me vendin e parë nga komisioni profesional do të realizohet në Prishtinë, duke përfaqësuar rëndësinë historike, kombëtare dhe emocionale që bart figura e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari.

Memoriali fitues mban emrin “Zâni i Lirisë” dhe është konceptuar si një simbol i përhershëm i lirisë dhe sakrificës për shtetin e Kosovës.

Në konferencë për media, Rama tha se projekti është frymëzuar nga fjalët e Adem Jasharit: “Besa besë, vetëm një vdekje se tjetër s’ka në këtë jetë. Edhe një fjalë e mirë”, duke e shndërruar zërin e tij në një simbol që do të jetojë ndër breza.

“Ky është projekti i cili e konceptualizon këtë ide të një hapësire publike. Secilin e kemi obligim ta ruajmë dhe ta respektojmë kujtesën historike. Jemi shumë të lumtur që ky proces po ecën përpara dhe se së shpejti do të krijojmë, në zemër të Kosovës, në Prishtinë, një dëshmi të përhershme ku do të jetojë për gjithmonë zëri i komandantit legjendar, Adem Jashari, për gjeneratat e ardhshme, për secilin që vjen këtu, secilin turist, secilin vizitor, edhe atëherë kur ne dikur nuk do të jemi më. Urime kryeqytetit, urime Kosovës, lavdi familjes së heroit legjendar të gjeneralit Adem Jashari”, tha ai.

I pyetur nga KosovaPress se pse është përdorur shkronja “â” te “Zâni i Lirisë”, e cila nuk është pjesë e alfabetit  standard të shqipes, ai tha se është përdorur si element stilistik dhe konceptual i projektit, për ta theksuar mënyrën  e veçantë të intepretimit të “zanit” në këtë vepër artistike.

“Ajo, kjo faktikisht koncepti është, qasja e zërit për shembull. Këto janë janë ato elementet kur thuhet, kur dëgjohet ‘Besa-besë vetëm një  vdekje se tjetër s’ka në këtë jetë”, edhe një fjalë e mirë. Pra, ky është aspekti abstrakt, i cili transformohet nëse lexon edhe del zëri faktikisht, zëri i cili edhe i thotë këto fjalë. Pra, nëse i lexon këto fjalë atëherë ritmi i zërit është i transformuar në hapësirën  publike, i cili pastaj po ashtu edhe këtu  figuron edhe si fontanë, si element, i cili e ka edhe ujin si pjesë  të këtij procesi, që ndoshta përfaqëson  edhe jetën, edhe një cikël të kësaj jete”, tha Rama.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026