Mediat ukrainase në krizë, Rusia po tenton të hesht gazetarët e pavarur
Lajme
Lexohet për: 3 min.
konferenca-2
2 ditë më parë
Linku u kopjua

Mediat ukrainase janë në luftë informative, u tha në konferencën “Ballkan Disinfo 2025” e cila po mbahet në Prishtinë. Në panelin ku u diskutua për Ukrainën tri vjet pas agresionit të Rusisë, ndër tjera, u theksua se mediat atje janë në krizë dhe se Rusia po tenton t’i hesht gazetarët e pavarur.

Sergiy Tomilenko nga Kievi, i cili është në krye të sindikatës kombëtare të gazetarëve të Ukrainës, tregoi se mbështetja e mediave do të thotë mbrojtje edhe e demokracisë kundër agresionit.

“Transformimi i mediave të Ukrainës gjatë këtyre tri viteve ka qenë problematik. Mediat vendase është dashur të përshtaten me sfida të pashoqe nga aspekti i sigurisë e deri tek ai financiar. Shumë prej tyre kanë humbur të hyrat nga reklamimi dhe është dashur në mënyrë fundamentale t’i rikonstruktojnë operacionet e tyre ose t’i mbyllin në tërësi. Kjo situatë është bërë në mënyrë edhe më kritike kohëve të fundit, ngase mbështetje nga donatorët tash tri vjet pas pushtimit ka filluar të zvogëlohet shumë. Po ashtu, ndalimi i menjëhershëm i ndihmës për mediat nga SHBA-ja ka tronditur komunitetin e mediave dhe kemi shumë media të pavarura që po luftojnë për mbijetesë. Dhe kjo krizë po kanos të sigurojë atë që bombat ruse nuk mund ta bëjnë. Dhe kjo është që të heshtin mediat, gazetarët e pavarur të Ukrainës”, deklaroi ai.

Lyudmila Makey është gazetarja e parë nga Ukraina e cila u strehua në Kosovë. Ajo në këtë panel tha se kolegët çdo mëngjes e fillojnë bisedën me pyetjen “si je sot’”.

“Jo vetëm në shkurt të vitit 2022, agresioni rus kundër Ukrainës filloi në vitin 2014 por Rusia në mënyrë të kundërligjshme aneksoi Krimenë dhe Donbasin. Që atë herë ukrainasit janë vrarë çdo ditë, madje edhe sot shohim bombardime në Kiev, sulme, predha dhe raketa. Dhe kolegët ukrainas, familjarët në Ukrainë çdo mëngjes e fillojnë bisedën mes vete ‘si je sot?’. Dhe përgjigja është ‘mirë, jemi gjallë’”, tha ajo.

Në konferencën "Balkan Disinfo 2025", gazetarja Olena Churanova nga “Stop FAKE.Org” foli për sfidat e gazetarëve, për çka e quajti edhe “luftë informative”.

“Nuk është lufta vetëm në fushë betejë por është edhe lufta informative. Është pikë për pikë luftë, janë për çdo ditë janë aty dhe nuk është vetëm bombardimet por gjithashtu edhe sulmet me informacione dhe kjo është shteruese, lodhëse. Dhe njerëzit janë lodhur mjaft tani. Mund të themi që ekziston kjo lodhje në mesin e ukrainasve dhe kur jetojnë në këto kushte është lehtë që të targetojnë edhe këta narrativ mund të jenë efikas”, u shpreh ajo.

Në konferencën "Balkan Disinfo 2025", e cila po mbahet në Prishtinë, po marrin pjesë njohës të kësaj fushe nga shtete të ndryshme të botës. /KosovaPress

https://kosovapress.com/kercenimet-hibride-dhe-dezinformimi-nga-rusia-dhe-kina-kane-shenuar-rritje

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025