Destinacioni me plazhet më të mrekullueshme parajsore për t’u vizituar këtë verë – pa shpenzuar shumë para – është Shqipëria!, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen spanjolle “El Cronista”.
Në këtë periudhë të vitit, shumë turistë spanjollë kanë planifikuar destinacionet e tyre të pushimeve verore. Megjithatë, ka ende shumë njerëz që presin momentin e fundit për të vendosur!
Ekzistojnë një sërë destinacionesh më të lira se Spanja – ndër të cilat ne rekomandojmë vendin mesdhetar, Shqipërinë – ku shpenzimet për ushqimin apo vizitat turistike do të jenë më të ulëta se në vendet e njohura dhe më të shtrenjta.
Shqipëria – vendi evropian me plazhe parajsore
Vendi mesdhetar është ende një diamant i pacënuar që pret të zbulohet nga shumë vizitorë.
Aktualisht, fluturimet vajtje-ardhje nga Spanja kushtojnë 53 euro – duke e bërë atë destinacionin më të lirë për pushime jashtë vendit.
Fluturimet direkte nga Barcelona dhe Madridi për në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, u mundësuan një vit më parë.
Që nga viti 2014 – Shqipëria është një vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian (BE), monedha aktuale është leku dhe kostoja e jetesës është e përballueshme.
Krahas kostos së udhëtimit, shpenzimet në vend nuk janë shumë të larta. Ushqimi, vizitat në pikat turistike apo aktivitetet e tjera ofrohen me çmime të lira.
Duke qenë shumë afër Spanjës, nuk do të shpenzoni shumë për udhëtimin në Shqipëri – dhe do të vini re se çmimet janë dukshëm më të lira se në Spanjë.