Media italiane: Tirana, zbuloni qytetin e ri, të gjallë dhe autentik
Lexohet për: 10 min.
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Një udhëkryq historish, interesash dhe stimujsh, Tirana është destinacioni i ri që pret të zbulohet, shkruan Paolo Armelli në një artikull të botuar në të përditshmen italiane “Vogue Italia”. Nuk është një kryeqytet i zakonshëm, madhështor evropian. Tirana është një qytet me një të kaluar komplekse dhe një të tashme të gjallë, dhe me një bukuri misterioze dhe prekëse.

Udhëtarët e apasionuar për të pazakonshmen mund të vlerësojnë të gjitha nuancat dhe kontrastet më të dukshme. Një udhëkryq popullsie dhe interesash tregtare deri në epokën e hekurit, Shqipëria u bë e rëndësishme që nga shekulli i XVII, e përshkuar gjithmonë nga synime dhe interesa konfliktuale, mbi të gjitha e ndarë midis Evropës Qendrore dhe Perandorisë Osmane, për të kaluar më pas nga dominimi i Italisë fashiste në izolacionizmin e imponuar nga një regjim veçanërisht i ashpër komunist.

Më pas erdhën vitet ’90, me imazhet e zbarkimeve përtej Adriatikut, të ngulitura ende në kujtimet e shumë italianëve.

Por ndërkohë, Shqipëria dhe vetë Tirana kanë ecur përpara duke kapërcyer pengesat, kufizimet dhe korrupsionin, por edhe duke u mbështetur në energjitë më të forta.

Tani kryeqyteti, i rrethuar nga mali i Dajit, ndër më të lartët në Ballkan, mbetet një kondensim shpirtërash të ndryshëm dhe kontradiktore, nisur nga arkitektura e tij në të cilën ka një sërë vilash të stilit italian të viteve 1920 dhe kalldrëme te stilit osmanrrokaqiejt madhështore futuriste dhe ndërtesa të rëndesës së mbetur brutaliste, tregje tradicionale dhe butikë ultramoderne, dhe projekte ndërkombëtare.

Në dekadën e fundit, një projekt specifik qeveritar ka pikturuar fjalë për fjalë monumente dhe ndërtesa të epokës komuniste me ngjyra të ndezura, një metaforë e madhe për një realitet urban që është i mbushur me një jetë të re.

Pas tërmetit shkatërrues të 2019, i cili rrezikoi të ndërpresë këtë vrull, Tirana është rikuperuar sërish, duke u nisur nga burimet e saj më energjike.

Është në fakt një qytet i mbushur me të rinj, të cilët janë kthyer nga jashtë ose janë rritur këtu, dhe pas disa vitesh mbylljeje ata u hapen me botën, rizbuluan traditat dhe i përmirësuan ato nga një këndvështrim global.

Nuk është rastësi që vitin e kaluar Tirana u shpall ‘Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022’. Edhe sot ai është një katalizator i paprecedentë dhe ende në progres stimujsh, ngjarjesh dhe tendencash.

Pikërisht për këtë arsye është qyteti i parë që pret, duke nisur nga data 8 maj, “Panorama e Modës – Vala e Re Italiane”, projekti i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar i kuruar nga “Vogue Italia” që sjell një brez të ri stilistësh italianë në një ekspozitë udhëtuese, e organizuar nga COD (Qendra për Hapje dhe Dialog).

Për të zbuluar një qytet që duket se fsheh sekretet e tij me një mister të paqartë, por që po vlon nga dëshira për të ardhmen, kërkuam për vendet themelore të një Tiranë të pazakontë dhe vazhdimisht në zhvillim.

Ku të qëndroni

“Për të qëndruar në një vend emocionues dhe për të shijuar kuzhinën e rafinuar mesdhetare, “Padam Boutique Hotel & Restaurant” është vendi im i preferuar”, tha një gazetare dhe aktiviste shqiptare që jeton prej 25 vitesh në Bergamo, por vazhdon të kthehet në vendi e saj.

Kuzhinieri Fundim Gjepali, i zgjedhur në listën e 10 shefave të huaj më të mirë në Itali, i cili punon edhe në restorantin “Antico Arco” në Romë, ka zgjedhur me mjeshtëri një menu për të kënaqur të gjitha shijet.

Për ata që kërkojnë eksperienca alternative, megjithatë, pranë tregut të madh të Pazarit të Ri, “Hostel Milingona” është një vend vërtet ikonik dhe piktoresk.

Duke shkuar më tej nëpër kryeqytet, drejt zonës së verërave rreth Durrësit dhe gjysmë ore nga aeroporti i Tiranës, është e këndshme të hasësh “Agroturizëm Gjepali“.

Shefi Fundim Gjepali ka rifituar fermën familjare të konfiskuar në të kaluarën nga regjimi dhe ka krijuar një vend të zhytur në natyrën më autentike, ku mund të qëndroni gjatë natës, por edhe të shijoni produktet tipike dhe natyrale, të rritura në vend.

Ku të hani

Si mund të mos e filloni ditën tjetër veçse me një mëngjes të shijshëm me ëmbëlsira të shkëlqyera franceze? Vendi i duhur është “Patisserie Française“, një vend që tashmë mban erën e Parisit nga emri i tij, e themeluar nga Madame Marie-Thérèse Marchal, një zonjë franceze kurioze që ra në dashuri me Tiranën në fillim të viteve ’90 dhe hapi fillimisht një furrë buke franceze dhe më pas pastiçerinë e shijshme të sotme, transmeton ATSh.

Ndër vendet e tjera është restoranti “Gzona“, pranë Kalasë së Tiranës.

Jemi në një fshat të bukur të inauguruar në vitin 2018, ku restorantet, galeritë dhe dyqanet që shesin produkte tipike gastronomike dhe zanate lokale janë grupuar së bashku.

Të ulesh rreth një tavoline dhe të ndash ushqimin është një nga karakteristikat më tradicionale të kulturës shqiptare: nuk është rastësi që gzona në dialektin geg të Shqipërisë së Veriut do të thotë “gëzohemi së bashku”.

Në këtë restorant në fakt shërbehen gatime tipike të recetave më të vjetra kombëtare, me produkte vendase por të ripunuara me teknika novatore, një urë lidhëse mes së shkuarës dhe së ardhmes që lejon mbajtjen gjallë të traditave.

Pak minuta nga sheshi Skënderbej, qendra e vërtetë e qytetit me shtatin e tij kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastriotit, i cili në shekullin e XV kishte zmbrapsur pushtimin e turqve osmanë, ndodhet “Bati”, një restorant peshku i vogël por tërheqes.

Për të ngrënë në lagjen e gjallë të Bllokut, sugjerohet padyshim “Kripë dhe Piper”, ku mund të provoni ushqimet nga rizoto italiane në sushi.

Në këtë restorant, menuja është e larmishme, ambienti eklektik dhe i rafinuar, por edhe shërbimi i vëmendshëm kujton rininë e shfrenuar vendase.

Atyre që u mungon vërtet Italia mund të drejtohen te “Artigiano”, një vilë e bukur me kopsht.

Aty pranë ndodhet Piramida, një strukturë piktoreske piramidale që ishte mauzoleumi i Enver Hoxhës, liderit autoritar që udhëhoqi Shqipërinë nga viti 1941 deri në vdekjen e tij në 1985.

Dy nga vendet më të vizituara në Tiranë kanë pamje nga sheshi Skënderbej, dikur i rrethuar nga makinat dhe tani zemra e gjallë e qytetit.

Në njërën anë ndodhet Muzeu Historik Kombëtar me fasadën e tij madhështore dhe mozaikun shumëngjyrësh që përfaqëson fitoret e popullit shqiptar, brenda të cilit mund të rikthehen mijëvjeçarët që variojnë nga paleoliti në periudhën komuniste.

Nga ana tjetër është Xhamia Et’Hem Beut, simbol i shumëllojshmërisë fetare të vendit dhe mahnitëse për dekorimet e mrekullueshme me lule brenda.

Por destinacionet më të veçanta në qytet janë ato më pak tërheqëse, në të vërtetë praktikisht nëntokë.

Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2, janë bunkerë të mbajtur sekret për një kohë të gjatë në qendër të qytetit, të përdorur në të kaluarën nga policia sekrete shtetërore.

Sot ata ofrojnë një ekspozitë historike që përfshin imazhe, aksesorë dhe objekte nga periudha komuniste dhe shtypja e saj, duke zbuluar sekretet e policisë politike.

Ata u krijuan përkatësisht në vitin 2014 dhe 2017, me iniciativën e gazetarit italian Carlo Bollino, ish-drejtor i “Gazzetta del Mezzogiorno”.

Nga e kaluara më e errët në të ardhmen më të ndritshme me “Reja”, një nga monumentet e reja të qytetit, skena e selfie-ve më të domosdoshme.

Instalacioni, i vendosur në kopshtin e Galerisë Kombëtare të Arteve, është projektuar nga arkitekti japonez, Sou Fujimoto përbëhet nga një strukturë kubash prej çeliku të bardhë, të ajrosur dhe të lehtë, të cilat krijojnë një hapësirë ​​të brendshme të gjallëruar, shfaqje filmash dhe evente të tjera, për t’u shijuar veçanërisht në verë.

“Teatri Metropol” është një teatër avangard, me referenca pothuajse shekspiriane.

Për të gjithë vizitorët që duan një eksperiencë të pastër blerjeje të stilin Tiranas, një udhëtim në Pazarin e Ri, i konsideruar nga shumë njerëz si zemra e vetë qytetit, është i domosdoshëm.

Krijimi i tij daton në vitet 1930 nën drejtimin e mbretit Zog, i cili e bëri atë pazarin e parë.

Pazari u riorganizua me kalimin e viteve për t’u bërë një treg i rregullt dhe i sigurt që është sot, plot me bare, bistro, restorante dhe bujtina të modës.

Këtu ka më shumë se 150 tregtarë me tezgat e tyre: shitet gjithçka, si mish, peshk, perime, mjalt, djath, erëza, vaj, duhan dhe suvenire.

Këshillohet të blini çaj mali, i cili sipas shqiptarëve shëron të gjitha sëmundjet dhe gjithashtu njihet për virtytet e tij anti-inflamatore, antibakteriale dhe antioksidante.

Ku të argëtoheni

Për të përjetuar plotësisht jetën e gjallë të natës në Tiranë, ka vetëm një fjalë kyçe: Blloku.

Kjo është lagja më e re dhe më e gjallë, ish- zona ekskluzive e drejtuesve të Partisë së Punës, e ndaluar për njerëzit e thjeshtë.

E projektuar si një “lagje kopshti” nga Gherardo Bosio, një arkitekt italian që udhëhoqi rinovimin e ndërtesave shqiptare në epokën fashiste, sot është qendra e vrullshme e të rinjve, të cilët e përjetojnë atë në të gjitha kontrastet e saj.

Në bllok gjenden baret më magjepsëse të koktejve, baret më klasike, klubet ekskluzive ku mund të dëgjoni muzikë live.

Ka një prezencë të fortë restorantesh italiane, të hapura nga ata që, pasi kanë jetuar për dekada jashtë vendit, janë kthyer në vendlindje, transmeton KosovaPress.

Vendi që nuk duhet të humbisni është “Radio Bar Tirana“. Me dizajnin e rinovuar nga periudha komuniste, mobilje ekscentrike, postera dhe foto vintage në mure, ofrohet një atmosferë miqësore në çdo kuptim dhe mbi të gjitha kokteje të shkëlqyera.

Në zonë ndodhet edhe Charl’s Bistro, një bar lounge i specializuar në muzikën e viteve 1960-1970, ku organizohen rregullisht shfaqje muzikore live (në 2009, Ian Paice, bateristi legjendar i Deep Purple, luajti gjithashtu atje).

Duke u rikthyer drejt sheshit Skënderbej, megjithatë, “Hemingëay Bar” nuk duhet humbur.

Këtu organizohen ngjarje të ndryshme kulturore, koncerte xhaz dhe mbrëmjeve të verës projektohen filma art-house në muret e godinës përballë.

Pranë stadiumit “Dinamo” ndodhen disa dyqane verërash. Përtej shumë lokaleve dhe klubeve të natës, një tjetër argëtim shumë i dashur nga shqiptarët është kafeja: si në versionin italian, ashtu edhe në atë turk, këtu përjetohet si një ritual relaksi.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024