Në një atmosferë të mbushur me dhimbje dhe krenari, në Gllogjan është përkujtuar përvjetori i betejës së 16 prillit 1999, një nga ngjarjet më të rënda të luftës në Kosovë, ku luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përballë një force shumëfish më të madhe, u vetflijuan për të mbrojtur civilët shqiptarë.
Ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sakrificën e bashkëluftëtarëve duke e cilësuar këtë ngjarje si një ndër momentet më të vështira dhe vendimtare të luftës në Kosovë.
“Dhe tani ishte një moment tepër i vështirë edhe i imi, si me veprua? A me dhënë një urdhër me shkua me ndalë një ekspeditë serbe me aq pak potencial që ne kishim përballë asaj ekspeditë aq shumë e madhe? Ishin mjetet e motorizuara, ishin pra teknikë lufte, e do gjë. Apo me hesht faktin që forcat serbe po shkojnë me i masakru familjet tona, civilët e pambrojtur, gratë, fëmijët? Për fat, këta ma lehtësuan mua, s’më lanë me marrë unë vendim, këta morën vetë vendim. Kur kanë dëgju Shkelqzeni, Hashimi, Fatmiri, Luani, s’kanë pyet. Thanë ‘ne po nisemi’. “, tha Haradinaj.
Ai shtoi se luftëtarët që arritën të parët në vijën e përballjes ranë dëshmorë, ndërsa beteja u zhvillua në kushte tërësisht të pabarabarta, pa pozicione të mirëfillta lufte dhe me mungesë të theksuar të mjeteve.Në emër të familjeve të dëshmorëve, fjalën e mori Kujtesa Nimanaj, e cila me emocion dhe përulsi të thellq falqnderoi të gjithq të pranishmit pqr nderimin dhe pqrkujtoi sakrificen e të rënëve, duke theksuar se kujtimi pqr ta do tq mbetet i gjallë pqrjetë.
“Jemi mbledhur me zemra të mbushura me dhimbje por edhe me krenari të thellë per te nderuar jetën dhe veprën heroike të dëshmorëve tanë Shkelqzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Luan Nimanaj dhe Hasin Halilaj. Me përulëdi të thellë kujtojmë sakrificën e tyre dhe se kujtimi për ta do të mbetet i gjallë brez pas brezi”,tha Nimanaj.