“Më shkoj jeta në kredi”, kosovarët me borxhe deri “n’fyt” - kjo është vlera e kredive
Tema
Lexohet për: 4 min.
kredi ne kosove per shtep
1 javë më parë
Linku u kopjua

“Më shkoj jeta në kredi”, “Para sikur fajde”, këto janë disa prej ankesave të qytetarëve të Kosovës, të cilët thonë se pësojnë presione e stres nga bankat komerciale për kthimin e mjeteve financiare me kamatat e larta të interesit. 

Numri i kredimarrësve gjatë vitit 2024 ka arritur mbi 36 mijë, të cilaët u  janë drejtuar bankave komerciale të Kosovës për të marrë kredi. Shifër kjo mbi një mijë më e lartë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Derisa shuma e përgjithshme e kredive bruto në sektorin bankar deri në muajin dhjetor të vitit që lamë pas ka arritur 5 miliardë e 810 milionë euro, me rritje mbi 131 milionë euro ose 2.32 për qind krahasuar me muajin paraprak, raporton KosovaPress.

Prej shumës së përgjithshme të kredive bruto, për ekonomitë familjare janë rreth 2. 3 miliardë euro, dhe për ndërmarrjet rreth 3. 5 miliardë euro. 

Ndërsa, sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës vlera e kredive të reja në  dhjetor arriti 264.1 milionë euro.

BQK bënë të ditur për KosovaPress se mesatarja e normës së interesit në kredi të reja gjatë periudhës janar-tetor 2024 është 6.16 për qind.

Por, ‘halli’ i qytetarëve për mjete financiare, po i shtynë ata të marrin kredi në bankat komerciale të vendit.

Qytetari Imer Bajgora thotë se që nga paslufta është detyruar të hyjë kredi siç thotë ai “për ta çliruar vetën”, meqenëse sipas tij, nuk i mjafton paga që merr. Përkitazi me këtë, ai ankohet se kamatat janë shumë të larta. 

Të domosdoshme, por të dëmshme në aspektin financiar e vlerëson kredinë Skender Preniqi. Ai thotë se për të blerë banesë apo veturë, nevojitet kredia, për shkak se siç shprehet ai pagat janë të ulëta. 

Kamatat, Preniqi i quan “sikur fajde”. 

Adem Veseli tregon për stresin që kishte përjetuar gjatë kohës kur kishe marrë kredi. Ai tregon se nuk do të hyjë më në borxh, sepse sipas tij “është katstrofë”. 

Ndërkaq, nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) thonë për KosovaPress se numri i përgjithshëm i kredimarrësve është  36 mijë e 60 deri në muajin tetor 2024 ose 1 mijë e 31 më shumë sesa në periudhën e njëjtë tëvitit të kaluar. 

“Numri i kredimarrësve për periudhën 1 janar 2023 deri më 11 dhjetor 2023 ishte 35,029, ndërsa për periudhën 1 janar 2024 deri më 11 dhjetor 2024 është 36,060. Rritje prej 1,031 kredimarrës ose 2.94% në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023. Mesatarja e normës së interesit në kredi të reja gjatë periudhës janar-tetor 2024 është 6.16%, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak ishte 6.49%”, thonë në një përgjigje me shkrim nga BQK për KosovaPress.

Ndërsa, njohësi i sektorit bankar, Milazim Abazi vlerëson se rritja e kredive në Kosovë paraqet zhvillim dhe forcim të pozitës materiale të qytetarëve. 

Abazi thotë për KosovaPress se duhet të rritet konkurrenca në sektorin bankar, me ardhjen e bankave më të fuqishme të Evropës. 

Ndërkaq, eksperti i ekonomisë, Musafë Kadrijaj thotë se menaxhimi i financave personale tek qytetarët e Kosovës nuk është në nivelin e duhur. Ai e quan skandaloze hyrjen në kredi për të blerë veturë apo për pushime. 

Përveç kësaj, Kadrija thekson se kamatat e larta të kredive në Kosovë po e dëmtojnë çdo herë e më shumë biznesin. 

Ndërsa, rrth 160 milionë euro është fitimi i pastër i bankave komerciale nga janari deri në tetor të vitit 2024. 

Përveç rritjes së kredive edhe depozitat (kursimet) e klientëve në dhjetor të vitit që lamë pas kanë arritur vlerën prej 6.92 miliardë eurove, rritje për 342.77 milionë euro ose 5.21 për qind, krahasuar me muajin paraprak. 

Nga vlera e akumuluar e depozitave të klientëve, rreth 28.89 për qind janë të afatizuara. Sipas sektorëve, ekonomitë familjare dominojnë me rreth 65.09% të gjithsej vlerës së kursimeve apo rreth 4.51 miliardë euro.

https://kosovapress.com/kosovaret-me-borxhe-deri-ne-fyt-rreth-5-miliarde-euro-kredi

https://bqk-kos.org/news/publikimi-i-statistikave-te-bankave-komerciale-per-muajin-dhjetor-2024/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025