Me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ndërmjetësuesit, me qëllim të mbajtjes së Serbisë larg Rusisë, bënë presion mbi udhëheqësit e Republikës së Kosovës, që të bëjnë kompromise të dëmshme për Kosovën, që nga fillimi i negociatave, në vitin 2006 në Vjenë e më vonë edhe në Bruksel, por ato kompromise nuk e ndihmuan as normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe as largimin e Serbisë nga Rusia.
Kërkesa për Asociacion një etnik, në shtetin multietnik të Kosovës dhe shumë kërkesa të tjera të Serbisë që kanë për qëllim defunkcionalizimin e shtetit të Kosovës, e që u përkrahen nga ndërmjetësuesit, nuk kontribuojnë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve.
Prandaj, për t’i normalizuar marrëdhëniet në mes të dy shteteve të pavarura, Serbia duhet ta kuptojë se nuk mund të ketë normalizim në mes të dy shteteve pa trajtim të barabartë të njëra-tjetrës.
Prandaj, Serbia duhet ta pranojnë realitetin e krijuar tani e 23 vite dhe të njëjtën gjë ta kërkojë nga qytetarët serbë të Kosovës, që po i mashtron që nga pas lufta.
Serbia duhet të heqë dorë nga manipulimi i strukturave paralele të kamufluara në institucionet e Kosovës, për realizimin e qëllimeve të saja politike.
Serbia duhet të ofrojë të drejta për komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës, aq sa kërkon për komunitetin serb në Kosovë.
Vuqiqi bashkë me përkrahësit e politikës së tij, për arritjen e qëllimeve hegjemoniste serbomadhe, për më shumë se dy dekada e ka mashtruar opinionin në Serbi për gjoja kthimin e ushtrisë dhe milicisë serbe në Kosovë.
Prandaj, ndërmjetësuesit që janë të vetëdijshëm se normalizimi afatgjatë i marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë arrihet vetëm me njohje të ndërsjellë, duhet t’i ndihmojnë Vuqiqit dhe qytetarëve të mashtruar të Serbisë ta ndërmarrin hapin që e liron Serbinë nga kjo barrë që po e pengon atë në realizimin e integrimit evropian që është interes i saj. Ta njeh pavarësinë e Kosovës.