Ministria e Ekonomisë ka ngritur shqetësimin mbi humbjet komerciale të KEDS-it si pasojë e kyçjeve të paautorizuara në rrjetin energjetik, duke thënë se një gjë e tillë vetëm gjatë vitit të kaluar ka shkaktuar humbje deri në 110 milionë euro.
Në një komunikatë për media thuhet se dy blloqet e Termocentralit “Kosova B” duhet të punojnë 31 ditë në vit për t’i mbuluar vetëm vjedhjet e energjisë elektrike.“Këto vjedhje të energjisë elektrike, jo vetëm që janë vepra penale sipas Kodit Penal, por tashmë janë një kosto e papërballueshme që duhet të paguhen nga paratë e të gjithëve nëse nuk ndalen. Kryerësit e këtyre veprave, energjinë e vjedhur e shfrytëzojnë në mënyrë jo racionale, jo për nevojat bazike. Kyçjet e paautorizuara në rrjetin e energjisë elektrike përbëjnë rrezik edhe të jetës dhe rrezik në stabilitetin e rrjetit të distribuimit”, thuhet në komunikatë.
Ministria e Ekonomisë thotë se janë duke ndërmarrë masa për të ofruar ndihmën e nevojshme në ndërprerjen e përdorimit të paautorizuar të energjisë elektrike dhe do të jetë në monitorim të aksioneve të KEDS-it për të ndalur vjedhjet e energjisë.