Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” me bazë në Gjenevë, Zvicër, ka kërkuar nga të gjitha institucionet e vendit që 15 janari, kur bëhet një çerekshekulli nga gjenocidi serb në Kosovë, të shënohet në mënyrë sa më të dinjitetshme që të jetë e mundur.
Përmes një kërkese dërguar mediave, kjo qendër thotë se duke e përkujtuar këtë datë, dëshmohet përkujdesi i lartë shoqëror e shtetëror.
“Gjenocidi në Kosovë” thotë se ngritja e zërit për arritjen e drejtësisë është obligim kombëtar, në mënyrë që të sensibilizohet bota demokratike për njohjen dhe arritjen e drejtësisë për gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës.
“Një çerekshekulli më parë, në vitin 1998-1999 forcat serbe kanë vrarë në mënyrë sistematike mbi dhjetëmijë civilë shqiptarë, kanë dëbuar shumicën e popullsisë nga Kosova, kanë shkatërruar objekte të arsimit e të trashëgimisë kulturore shqiptare si dhe kanë dhunuar seksualisht mbi njëzetmijë gra e burra të përkatësisë shqiptare. Përgjegjësia për këto akte të tmerrshme bie mbi shtetin serb si planifikues e zbatues i gjenocidit kundër shqiptarëve”, tha kjo qendër.
“Gjenocidi në Kosovë” ka ftuar institucionet e vendit që në këtë përvjetor simbolik të krimit të gjenocidit, “të dëshmojmë përkujdesje të lartë shtetërore dhe shoqërore, për të nderuar viktimat e krimit të gjenocidit gjatë luftës 1998-1999”.