Përfaqësuesit e bizneseve dhe njohësit e çështjeve ekonomike thonë se Qeveria e Kosovës duhet ta rishqyrtoj politikën për terminalet, pasi shtetëzimi i tyre nuk ka sjellë dobi, por vetëm përfitime për kompanitë transportuese që mbi 90% të tyre vijnë nga Serbia dhe shtetet e tjera.
Terminali Doganor në Prizren është i fundit, të cilit i kishte skaduar licenca e operimit në vitin 2023. Ndonëse komisioni i caktuar nga ministria e Infrastrukturës, kishte rekomanduar që ky terminal i plotëson kushtet për vazhdim të licencës, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur, dhe ky terminali u mbyll për t’u zhvendosur në Vermicë, si terminal shtetëror.
E afër 300 biznese dhe rreth 30 agjentë doganorë të cilët operojnë në terminalin e Ferizajt kanë nënshkruar peticione, të cilat u drejtohen kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ku shprehin shqetësimin dhe pakënaqësinë e tyre në lidhje me mosvazhdimin e licencës së terminalit në Ferizaj. Ata kërkojnë që t’i vazhdohet licenca e operimit këtij terminali, pasi nuk kanë asnjë ankesë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë për Televizionin Publik, se terminali në Vermicë, nuk i plotëson kushtet minimale për operim, madje as ato higjieno sanitare. Kjo ka bërë që bizneset dhe agjentët doganor në Ferizaj të alarmohen se e njëjta gjë do t’u ndodhë edhe atyre.
Eksperti i ekonomisë, Ismet Mulaj i tha RTK-së se derisa bizneset me peticione kërkojnë që t’i vazhdohet licenca e operimit, kjo tregon se ato janë të kënaqura me shërbimet që i marrin dhe se nuk kanë asnjë ankesë. Ai kërkon që vendimet e qeverisë të jenë konform kërkesave të bizneseve.
“Ka praktika të ndryshme, edhe në vendet në rajon por edhe në kuadër të BE-së, ku ka edhe terminale publike, shtetërore si dhe terminale private. Nxitja e konkurrencës ndërmjet publikes dhe privates, vetëm i sjellë dobi biznesit, por sipas bindjeve të mia dhe analizave që sot janë, biznesi nuk ka pasur asnjë ankesë në raport me terminalet doganore, edhe sa i përket shërbimeve por edhe çmimeve, prandaj tendenca për të shtetëzuar të gjitha terminalet private që sot ekzistojnë, nuk është politikë e drejtë dhe nuk shkon në harmoni me kërkesat që i kanë bizneset. Bizneseve u intereson çmime konkurruese dhe shërbime të shpejta. Në rastin e keq, shteti kurrë, jo vetëm në Kosovë, po në asnjë vend tjetër nuk është institucioni që kryen shërbime shpejt, prandaj binzesit i duhen shërbime të shpejta. Unë i bëj thirrje kësaj qeverie që ta rimendoj shumë mirë politikën e terminaleve doganore. Po jam që të ketë, një, dy, tri termianale shtetërore por të lejohen të afarojnë edhe bizneset private të cilat sot vetëm janë duke punuar. Në këtë rast, terminali doganor i Ferizajt ka kryer shërbime shumë të mira ndaj biznesit, dhe peticioni i biznesit tregon më se miri që këto biznese kanë pasur interes në raport me këtë terminal”, ka theksuar ish ministri Mulaj për RTK-në.