Mbyllja e Ligës Universitare të Sporteve ka sjellë një atmosferë të jashtëzakonshme, duke kurorëzuar javë të tëra garash intensive në gjashtë disiplina të ndryshme. Ceremonia përmbyllëse u shënua nga suksese të papritura, ku spikati jo vetëm masivizimi i jashtëzakonshëm i sportit mes të rinjve, por edhe integrimi i disiplinave të reja si padeli, që ka zgjuar një interes të madh te pjesëmarrësit.
Presidenti i Federatës së Sportit Universitar të Kosovës, Musa Selimi, vlerësoi lart sakrificën, mundin dhe karakterin e kampionëve të rinj. U theksua se kjo gjeneratë studentësh mbart një potencial të madh jo vetëm për të ngritur standardin e garave vendore, por edhe për të përfaqësuar denjësisht vendin në arenën ndërkombëtare.
Ndërkohë, përfaqësuesi i Ministrisë për Rini dhe Sport, Fikret Shatri, garantoi mbështetje të vazhdueshme institucionale, duke e konsideruar aktivitetin fizik si një mjet të fuqishëm e thelbësor për një jetë të shëndetshme dhe përballimin e sfidave jetësore.
“Normalisht që mbetet prej të gjitha instancave që këto gara të jenë edhe më masovike. Ka hapësirë, ka hapësirë normalisht që ne jemi të zotuar që të fokusohemi si institucion në masivitet, sepse ashtu siç e përfundove fjalën tënde, jeta e shëndetshme është vetëm atëherë kur merremi me lëvizje, merremi me aktivitet fizik. Aktiviteti fizik është mburojë e jashtëzakonshme për t'i përballuar sfidat, për t'i përballuar të gjitha ato që na vijnë, jeta që na godet”, deklaroi Shatri.“Në këtë organizim, jo vetëm kemi garuar, por kemi krijuar miqësi, kemi treguar potencialin tonë. Po gjithashtu, shpresoj që të kemi përfaqësuar universitetin tonë sa më denjësisht”, tha ajo.
Ngjarja e madhe u përmbyll me ndarjen e çmimeve të merituara për fituesit, duke nisur me triumfuesit e basketbollit 3x3 si dhe sportet tjera si padel, shah, futsal, pingpong dhe beach volejboll.