Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka njoftuar se është mbyllur aplikimi për thirrjen e dytë publike “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”, vetëm katër ditë pas hapjes.
Kjo është bërë e ditur, përmes një njoftimi në faqen zyrtare në rrjetin social Facebook.
“Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se është mbyllur aplikimi për thirrjen e dytë publike “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”. Mbyllja e parakohshme është rezultat i pranimit të 1333 aplikimeve në vlerë prej 4,998,871.79€, të cilat përmbushin buxhetin e destinuar për subvencionim të masave, izolim të mureve dhe kulmit dhe ndërrim të dyerve e dritareve të jashtme, deri në 45% të shumës (5% shtesë për shtëpitë që janë pronë e gruas ose bashkëpronësi e çiftit) duke mos kaluar kufirin maksimal 5500 euro”, thuhet në njoftim.
FKEE, ka bërë të ditur se aplikacionet kanë filluar të shqyrtohen sipas radhës së arritjes së tyre.
Ky projekt mbështetet nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit IPA – Pako për Mbështetjen e Energjisë, i aranzhuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe i zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.
Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka lansuar thirrjen e dytë publike për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”, më 26 gusht. Ndërsa, qëllimi i kësaj thirrje ishte të përmirësohen kushtet e jetesës së qytetarëve sa i përket efiçencës së energjisë elektrike dhe ulja e faturave të energjisë elektrike.