Presidentja Vjosa Osmani ka pranuar letër urimi nga homologu i saj amerikan Donald Trump, me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Në mesazhin e tij, presidenti Trump ka përgëzuar popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë, duke vënë në pah qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces.
"Lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato, veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime, me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e rritjes ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi", thuhet në mesazhin e tij.
Trump ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e integrimit të mëtejshëm të Kosovës në komunitetin euroatlantik dhe ka vlerësuar mbështetjen e palëkundur të Kosovës ndaj Ukrainës përballë agresionit rus.