Geci në Hagë: Komunikata 59 është shkruar nga Thaçi
Lajme
Lexohet për: 3 min.
5 ditë më parë
Linku u kopjua

(E përditësuar) Gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, Fadil Geci ka thënë se ajo që njihet si komunikata 59, është “shkruar nga Hashim Thaçi”.

Këtë të fundit, dëshmitari i prokurorisë, derisa është përgjigjur në pyetjet e avokatit Luka Mishetiq, e ka quajtur “njëri të rrezikshëm”.

“Unë prej ditës të parë, që e ka shkruar [Hashim Thaçi] komunikatën 59-të, e kam ditur dhe i kam shkuar në shtëpi...", ka thënë Geci.

Gjatë intervistimit, avokati Mishetiq ka thënë se në vitin 2013 familja Geci e kishte “përdorur Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin si ndërmjetës për mosmarrëveshje me Azem Sylën”.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

https://kosovapress.com/mbrojtja-gecit-mundohuni-ta-hiqni-politiken-nga-pergjigjet-qe-jepni

Mbrojtja-Gecit: Mundohuni ta largoni politikën nga përgjigjet që jepni

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fadil Geci - dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, po përballet me pyetjet e mbrojtjes së Hashim Thaçit, në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Hagë.

Gjatë intervistimit, avokati i Thaçit, Luka Mishetiq i kujtoi Gecit se një javë më parë në konferencën përgatitore me prokurorin kishte thënë se “nuk konsideron” që ka qenë pjesë të UÇK-së.

Një gjë të tillë, sipas mbrojtësit Mishetiq, dëshmitari e kishte konfirmuar edhe në ditën e parë të dëshmisë së tij, të hënën.

Por sot në gjykatore, sipas avokatit, Geci po e thotë të kundërtën.

Në këtë ka ndërhyrë edhe kryetari i trupit gjykues, i cili kërkoi nga dëshmitari që të përgjigjet me “po ose jo”.

Më tej, Geci tha se në periudhën për të cilën po dëshmon i ka raportuar vetëm ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi dhe sipas tij ai ai ka qenë komanda kryesore.

Por, avokati Mishetiq ka insistuar në pyetjet nëse ai ka qenë edhe nën komandën e Bislim Zyrapit, Rexhep Selimit, Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqit.

"Dëshmitar, po ju bëjë pyetje të thjeshta, kështu që mundohuni ta hiqni politikën nga përgjigjet që jepni”, tha Mishetiq.

Para intervistimit nga mbrojtja e Thaçit, dëshmitari është përgjigjur në pyetjet e prokurorit James Pace.

Geci, në seancë publike dhe pa masa mbrojtëse, ka folur për atë që njihet si komunikata e 59-të.

Gjatë pyetjeve të prokurorit, Geci ka folur edhe komunikimin që ka pasur me Ramë Bujën dhe i njëjti, sipas tij, i ka thënë “që ka hëngër plumb pse i ka mbrojtur vëllezërit Geci”.

https://kosovapress.com/fadil-geci-deshmon-ne-hage-tentuan-te-likuidojne-familjen-tone

Fadil Geci e ka nisur dëshminë e tij të hënën para Dhomave të Specializuara në Hagë, në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Geci është thirrur nga prokuroria që të jap dëshmi lidhur me autorësinë e asaj që njihet si komunikata 59-të si dhe për kërcënimet që ai pretendon se Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi i kanë bërë Tahir Zemajt.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka filluar më 3 prill të vitit 2023.

Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020./Sh.Pajaziti

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024