Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka mbajtur konferencën vjetore me temën: “Aspekte dhe sfida të edukimit në trashëgimi kulturore”. Mbrojtja dhe vlerësimi i trashëgimisë kulturore, u tha se është e domosdoshme. Po ashtu, është vlerësuar se kjo mund të bëhet përmes edukimit të gjeneratave të reja.
Zëvendës-udhëheqësi ekzekutiv i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Kreshnik Bajraktari tha se gjendja e trashëgimisë kulturore është jo e kënaqshme dhe për këtë duhet të bëhet edukimi i gjeneratave të reja.
Edhe kryetarja e bordit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Zanita Halimi tha se është e domosdoshme që të rritet vetëdija për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Halimi: Rëndësia e edukimit për trashëgiminë kulturore është e padiskutueshme
(Video) 05:05’...
Këshilltarja e ministrit të Kulturës, Nora Arapi tha se gjatë këtij viti kanë zhvilluar dy programe dhe kanë ndërmarrë masa emergjente me qëllim të mbrojtjes se trashëgimisë kulturore.
"Në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore kemi ndërmarrë programe dhe veprime të ndryshme me fokus të veçantë në përmirësimin e gjendjes fizike të aseteve të trashëgimisë kulturore, qoftë përmes masave emergjente apo qoftë përmes programeve të restaurimit. Gjithashtu kemi vazhduar me konsolidimin e bazës sekondare ligjore përmes plotësimit dhe aprovimit të rregullativave që të synojmë për një mbrojtje më efikase dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Gjatë këtij procesi kemi qenë në bashkëpunim me Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Jemi më shumë se të vetëdijshëm që vetëm mbrojtja ligjore dhe ndërhyrjet fizike, të vetme nuk mjaftojnë. Edukimi, vetëdijesimi dhe promovimi i vlerave të trashëgimisë kulturore, sigurimi i identitetit për zhvillim të qëndrueshëm është jetik. Jemi të vetëdijshëm që këtu qëndrojmë më keq, rezultatet nuk janë ato që kanë qenë të pritshme", ka shtuar Arapi.