Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes një njoftimi ka ftuar fermerët për përgatitje të mbjelljes së grurit.
“Koha më e mirë për mbjelljen e grurit është periudha ndërmjet 5 dhe 30 tetorit, madje edhe më vonë nëse lejojnë kushtet atmosferike. Gruri i mbjellë në kohë të mirë do të kalitet”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Fermerë të nderuar,
Rendimentet e ulëta që realizojmë në Kosovë janë pasojë e disa faktorëve ku ndër më të rëndësishmit janë mospërdorimi i agroteknikës adekuate, përdorimi i farërave jo cilësore për mbjellje dhe harmonizimi jo i drejtë i racioneve ushqyese të bimëve sipas fazave të rritjes dhe zhvillimit të tyre.
Fermerët vendor prodhimin e grurit duhet ta mbështesin në zbatimin e teknologjive të reja kultivuese dhe në zbatimin e masave të përkujdesjes gjatë periudhës vegjetative konform kalendarit agronomik.
Ju rekomandojmë qe të përcillet koha dhe të gjeni momentin më të volitshëm për lëvrimin dhe përgatitjen e tokës varësisht nga lloji i tokës dhe vendi ku është planifikuar mbjellja.
Pas thatësisë së gjatë verore, shiu i ditëve të fundit ka qenë i mirëseardhur. Shfrytëzojeni kohën e volitshme që të përgatisni tokën për mbjellje të tërë sipërfaqes së planifikuar për mbjellje.
Koha më e mirë për mbjelljen e grurit është periudha ndërmjet 5 dhe 30 tetorit, madje edhe më vonë nëse lejojnë kushtet atmosferike. Gruri i mbjellë në kohë të mirë do të kalitet.
Mënyra më e keqe e mbjelljes është mbjellja me dorë, për këtë arsye rendimentet zvogëlohen, andaj duhet mbjellë me makinë mbjellëse. Po ashtu, keni kujdes në përzgjedhjen e farës dhe plehut cilësor! Bashkëpunoni me ekspertët komunalë dhe me ekspertë të shitjeve të imputeve.