Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas, ka pritur në takim, ambasadorë, shefa misionesh dhe përfaqësues të lartë kombëtarë nga 31 shtetet kontribuuese në këtë mision.
Në njoftim, bëhet e ditur se, gjatë këtij takimi, Ulutas, ka prezantuar situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, aktivitetet e vazhdueshme të KFOR-it dhe prioritetet kryesore të misionit për periudhën në vijim.
Njoftimi:
Komandanti i misionit të udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë (KFOR), gjeneralmajori Ozkan Ulutaş, priti në selinë e KFOR-it, në Kampin Film City në Prishtinë, ambasadorë, shefa misionesh dhe përfaqësues të lartë kombëtarë nga 31 shtetet kontribuuese me trupa.Komandanti i KFOR-it rikonfirmoi përkushtimin e misionit për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, theksoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë, si dhe shprehu mirënjohjen e tij të sinqertë ndaj të gjitha shteteve kontribuuese me trupa për mbështetjen e tyre të vazhdueshme.
KFOR-i vazhdon ta zbatojë mandatin e tij – të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.