Mbledhin nënshkrimet për shkarkimin e kryetarëve në veri, ende nuk iu janë dorëzuar kryesuesve
Lexohet për: 2 min.
peticioni
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Ka përfunduar nënshkrimi i peticioneve për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave veriore të vendit, të banuara me popullatë shumicë serbe.

Sanja Kërtiniq, ka konfirmuar për KosovaPress, se nënshkrimi i peticionit në Komunën e Mitrovicës Veriore ka përfunduar të premten.

Sipas saj, numri i nënshkrimeve të nevojshme është arritur brenda tre ditëve, përkatësisht nga 16 deri më 18 janar.

Ajo nuk ka precizuar numrin e saktë të nënshkrimeve, por tha se ka më shumë sesa është e nevojshme.

"Falënderoj qytetarët të cilët gjatë tre ditëve dolën masovikisht për të nënshkruar peticionin. Jam e bindur se është tejkaluar numri i nevojshëm që është 3 mijë e 640", ka thënë Kërtiniq.

Edhe në Komunën e Leposaviqit ka përfunduar nënshkrimi i peticionit të shtunën, ndërsa sot anëtarët e grupeve inicuese, kanë konfirmuar përfundimin e peticionit edhe në Zveçan e Zubin Potok.

Në anën tjetër, grupet inicuese obligohen që këto nënshkrime t’i dorëzojnë sot tek kryesuesit e Kuvendeve Komunale.

Nexhat Uglanin, kryesues i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, i ka thënë KosovaPress-it, se deri në këto momente kur po raportojmë, nuk ka pranuar peticionin me nënshkrime.

"Deri tani nuk kam pranuar asgjë. Pres që ndoshta deri në ora 16:00 të ndodhë kjo", ka thënë shkurt për KosovaPress, Uglanin.

Ndryshe, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në Mitrovicën e Veriut duhet të mblidhen së paku 3 mijë e 640 nënshkrime për shkarkimin e kryetarit të Komunës, pasi në listën zgjedhore janë regjistruar 18 mijë e 199 persona me të drejtë vote.

Në Komunën e Leposaviqit të drejtë vote kanë 13 mijë e 441 persona, që do të thotë se të paktën 2 mijë e 689 prej tyre duhet ta nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit.

Në Zubin Potok peticionit duhet t’i përgjigjen së paku 1 mijë e 347 votues, që është 20 përqind nga 6 mijë e 732 të votuesve të regjistruar.

Ndërsa në Zveçan. që peticioni të jetë  i suksesshëm, duhet të nënshkruhet nga së paku 1 mijë e 411 persona.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025