Mbi 70 shkolla në gjithë vendin janë duke vijuar mësimin ‘online’ për shkak të infektimit me variantin Omicron. Numri i madh i mësimdhënësve me virus dhe rekrutimi i tyre për zëvendësim është një nga sfidat me të cilat po përballen komunat në Kosovë. Drejtorë komunalë të arsimit në takimin me Asociacionin e Komunave të Kosovës kanë deklaruar se situata me pandeminë është duke u përkeqësuar. Pushim për gjitha shkollat, kthimi me prani fizike në shkolla nga e hëna dhe vendimi për vijim të mësimit të njëjtë për gjithë Kosovën, janë disa nga rekomandimet që janë dhënë në këtë diskutim.
Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi tha se situata është duke u përkeqësuar, ku siç tha ai në përqindje të madhe varianti Omicron po prek edhe fëmijët.
Në takimin e shumicës së drejtorëve komunalë të arsimit është diskutuar edhe për procedurat e gjata të rekrutimit të mësimdhënësve në rastet kur ata paraprakë janë të sëmurë, për çka tha se kjo po zgjat deri në dy muaj.
Madje, sipas drejtorit të Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës, Samir Shahini numër i madh i mësimdhënësve janë edhe jashtë listës së pagave.
Në këtë komunë janë mbi 250 nxënës dhe mbi 20 mësimdhënës të infektuar.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Vitisë, Fatbardha Emini tha se procedurat e gjata në rekrutimin e mësimdhënësve po vështirësojnë mbarëvajtjen e mësimit.
Ajo ka rekomanduar që në këtë kohë kur temperaturat janë të ulëta të ketë pushim dhe të zëvendësohet me pushimin pranveror.
"Nuk jemi kundër mësimit ‘online’, por e kemi parë që nuk është shumë efektiv apo është sa për të plotësuar një procedurë administrative për të mos thënë se ka pasur humbje të orëve. Unë personalisht në këtë kohë të ftohtë që ka qenë gjatë kësaj jave dhe java e kaluar do të isha për një pushim më të gjatë, ose zëvendësim të pushimit pranveror pesë ditë ose dhjetë ditë. Pastaj ta dimë që kemi dhjetë ditë të humbura të procesit arsimor dhe t’i zëvendësojmë qoftë të shtunave, qoftë gjatë pushimit pranveror që parashihet. Ka edhe fshatra që janë malore, mësimi nuk zhvillohet vetëm në Prishtinë apo vetëm nëpër qytete, por ka edhe fshatra që janë shumë të viseve malore, që edhe mësimdhënësit e kanë vështirësi të shkojnë të mbajnë mësimin”, ka rekomanduar ajo.
"Momentalisht në Komunën e Ferizaj kemi 98 mësimdhënës të infektuar, kemi 437 nxënës, 11 personel tjetër dhe për momentin i kemi nëntë shkolla në sistemin ‘online’. Sa është efektive mësimi ‘online’, po besoj që kemi përvojë të mirë në këtë drejtim dhe kemi parë se sa ka efektivitet dhe rezultate. Përgjegjëse për krejt këtë janë shkollat, sipas udhëzuesve të cilët i kanë dhe shkollat janë nganjëherë në dilema që a të kalohet në ‘online’ apo të mos kalohet. Sepse kërkesat janë që një pjesë e stafit është që të vazhdojë, një pjesë tjetër jo. Por, problemi pastaj qëndron edhe të zëvendësimet e atyre mësimdhënësve që është e pamundur për të bërë. A të kalojmë të gjithë në sistem ‘online’ si Republikë e Kosovës, apo prapë po na mbetet komunë për komunë, apo shkollë për shkollë”, tha ai.
Numër i madh i të infektuarve të nxënësve dhe mësimdhënësve është regjistruar edhe në Pejë. Megjithatë, drejtori i Arsimit, Naser Gega ka rekomanduar që nga e hëna të kthehen të gjithë me prani fizike në shkolla.
Sipas tij, në qendrat mjekësore në Pejë është krijuar dyndje dhe panik për testim pa konsullt me mjekun.
Pas diskutimit, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga Ministria e Arsimit që të krijojë një udhëzues që të lirohen nga procedurat në rastet e rekrutimit të mësimdhënësve.