Mbi 200 raste me tuberkuloz gjatë 2023-ës u trajtuan në Pulmologji
Lexohet për: 2 min.
Klinika-e-Pulmologjise
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Në Klinikën e Pulmologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), aktualisht po trajtohen rreth 10 raste me tuberkulozë. Ndërkaq, gjatë vitit të kaluar në këtë klinikë janë mjekuar mbi 200 pacientë me këtë sëmundje, derisa kanë dominuar ata të gjinisë mashkullore.

Kështu thotë për KosovaPress, drejtori i Klinikës së Pulmologjisë, Musa Hoxha, derisa potencon se në nivel vendi, numri i të prekurve me tuberkulozë është afro 600.

Ai shton se vërehet një tendencë e rënies së numrit të rasteve me këtë sëmundje, në krahasim me vitin 2022.

“Fatin” e 10 pacientëve me tuberkulozë që po trajtohen në këtë klinikë, nuk e kanë shumë të tjerë me sëmundje të ndryshme që mjekohen në Pulmologji. Kjo, për shkak se Klinika e Pulmologjisë nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të pranuar të gjithë pacientët që kanë nevojë për hospitalizim.

Në 66 shtretërit që posedon Klinika e Pulmologjisë, janë të shtrirë 66 pacientë të cilët po marrin trajtim shëndetësor. Ndërkaq, ka edhe pacientë të tjerë që për shkak të numrit të vogël të shtretërve dhe hapësirave të pamjaftueshme, pavarësisht që kanë nevojë për hospitalizim, nuk po kanë mundësi të shtrihen.

Për këtë, drejtori i Pulmologjisë, Musa Hoxha thotë se ka raste kur pacientëve ua shtyjnë pranimin në spital për disa ditë, apo kërkojnë ndihmë nga klinikat e tjera.

Ndër të tjera, Hoxha potencon se vazhdimisht kanë probleme me hapësira dhe shtretër të mbi ngarkuar. Ai thotë se secila dhomë e ka një shtrat më shumë sesa duhet të ketë.

Përveç kësaj, Hoxha thotë se kanë mungesë të stafit të mesëm.

Ndërkaq, sa i përket furnizimit me barna esenciale për kurimin e tuberkulozit dhe sëmundjeve të tjera, Hoxha theksoi se qëndrojnë mirë. 

Tuberkulozi është një sëmundje infektive kronike që prek kryesisht mushkëritë. Agjenti shkaktar i tij, mykobakteri i tuberkulozit, ose bacili Koh, transmetohet nga spërklat e pështymës ose të gëlbazës, kur personi i infektuar flet, teshtin ose kollitet.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024