Liderët e Bashkimit Evropian janë takuar në samitin special të hënën të organizuar nga Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, me temën, mbrojtja evropiane ku ka marr pjesë edhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Komisioni Evropian thuhet se në takimin joformal ishte një rast që liderët e BE-së të diskutonin aspekte të ndryshme të së ardhmes së mbrojtjes në BE, siç janë kapacitetet kolektive, mjetet e financimit, dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë në fushën e mbrojtjes.
Gjatë konferencës përmbyllëse për shtyp, së bashku me Presidentin Costa dhe kryeministrin Donald Tusk, presidentja von der Leyen theksoi vendosmërinë e saj për të gjetur mjetet për të financuar siç duhet nevojat e mbrojtjes së BE-së.
“Para së gjithash kemi nevojë për më shumë fonde publike. Unë jam e gatshme të hulumtoj dhe do të përdor gamën e plotë të fleksibiliteteve që kemi në Paktin e ri të Stabilitetit dhe Rritjes për të lejuar një rritje të konsiderueshme në shpenzimet e mbrojtjes. Për më tepër, pjesa e dytë do të ishte që ne po punojmë me BEI për të rritur fleksibilitetin e praktikave të kreditimit. Dhe, natyrisht, kemi nevojë për më shumë financime private, ndaj duhet të dialogojmë me sektorin privat bankar, në mënyrë që ai të modernizojë praktikat e tij të kreditimit”, tha presidentja.Për më tepër, në njoftim thuhet se liderët diskutuan lidhjen midis konkurrencës dhe mbrojtjes, dhe efektin pozitiv të investimeve të mbrojtjes në rritjen e konkurrencës së Evropës.
Presidentja von der Leyen, e cila prezantoi javën e kaluar Compass-in e Komisionit për konkurrencë, tha se BE-ja duhet të thjeshtojë legjislacionin e saj, të përdorë investimet në mbrojtje për të krijuar gjithashtu njohuri dhe vende pune të mira në Evropë, dhe të nxisë inovacionin evropian në fushën e mbrojtjes, duke përfshirë rritjen e bashkëpunimit me Ukrainën.
Në njoftimin e Komisionit Evropian thuhet tutje se ka një angazhim të fortë nga BE-ja për të forcuar marrëdhëniet e saj me partnerët strategjikë. Në këtë kuptim, liderët mirëpritën Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe kryeministrin britanik Keir Starmer.