Në një vizitë të realizuar së fundi në Bakuskaja shihen varre të reja dhe objekte të ndërtuara për djegien e trupave të pjesëtarëve të grupit Wagner, që kanë vdekur në luftë.
Në një vizitë të realizuar së fundi në Bakuskaja shihen varre të reja dhe objekte të ndërtuara për djegien e trupave të pjesëtarëve të grupit Wagner, që kanë vdekur në luftë.
Sipas të intervistuarve, incizimeve dhe vizitës së një korrespodenti të Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë në atë zonë, më shumë se 300 luftëtarë janë varrosur në këtë qendër prej kur ka nisur lufta e Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Sipas të dhënave, varrezat janë duke u zgjeruar shpejt muajve të fundit.
Përafërsisht 50.000 luftëtarë nga kompania mercenare Wagner besohet se janë në Ukrainë.
Qeveria amerikane ka vlerësuar që më shumë se 10.000 pjesëtarë të këtij grupi kanë vdekur në luftë, krahas pjesëtarëve të ushtrisë ruse.
Grupi rus për të drejta të njeriut, Rusia mbrapa grilave, beson që rreth 40.000 të burgosur janë rekrutuar për të luftuar për grupin deri më tani, derisa Qeveria amerikane beson se 90 për qind e mercenarëve janë të burgosur.
Gjatë një udhëtimi të realizuar së fundi në Bakuskaja, gjurmët e varrezave të sapohapura kanë qenë lehtë të vërejtshme, ashtu sikurse hapësirat ku dërgohen mbetjet e djegura.
Ndonëse në një pjesë të madhe të varrezave ka kryqe ortodokse, në disa tjera shihen edhe gjysmëhëna islame.
Varre të reja hapen në këtë zonë gati çdo ditë.
“Ata varrosin 16 persona brenda ditës në varrezë… Ata i djegin trupat ditë e natë”, ka thënë Andrei, banor në Bakuskaja, mbiemri i të cilit nuk është publikuar për çështje sigurie.
“Nuk ka pasur vend për t’i varrosur (në fshat apo zonat fqinje), prandaj (luftëtarëve) të Wagnerit u është ndarë një varrezë e posaçme”.
Një hapësirë shtesë për varrosjen e luftëtarëve të grupit Wagner është ndarë edhe në rajonin Krasnodar në Rusi.
Varreza nuk është shumë larg prej Molkinit, një fshat ku gjenden hapësira për trajnimin e pjesëtarëve të Wagnerit.