Komisioni Ekzekutiv për zhvillimin e sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP), kundrejt nevojave të tregut të punës të Republikës së Kosovës, ka mbajtur sot takimin e dytë.
Kryeministri Albin Kurti, në fjalën e tij theksoi domosdoshmërinë e bashkërendimit ndërinstitucional dhe me donatorët.
Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, foli për fushat që kanë identifikuar në të cilat duhet të përqendrohet reformimi i AAP-së: Qeverisja e Arsimit dhe Aftësimit Profesional, e cila do të merret me përmirësimin e qeverisjes së AAP-së, në mënyrë që qeverisja të ketë qasje holistike dhe të funksionojë në mënyrë efektive dhe efikase, si dhe Inicimi i zbatimit të arsimit dual, me qëllim të zbatimit të arsimit dual, duke qenë që pilotimi duhet të fillojë në vitin shkollor 2022/2023.
Në takim u propozuan anëtarët e të dy task-forcave. Për task-forcën e parë Qeverisje funksionale e sistemit të AAP-së, u propozuan dhe u miratuan 15 anëtarë, ndërsa për task-forcën e dytë, Inicimi dhe implementimi i arsimit dual, u propozuan dhe u miratuan 22 anëtarë.
Zbatimi i sistemit dual, sipas këtij fondacioni, mund të nisë nga muaji shtator dhe shumica e kompanive në Kosovë pajtohen të investojnë në burime njerëzore, sepse është një strategji afatgjatë për secilën kompani dhe për ekonominë në Kosovë. Profilet e para do të jenë në industrinë e drurit, atë të metaleve, floktari, turizëm, hotelieri e kuzhinieri.
Ministrja e Industrisë Rozeta Hajdari theksoi se duhet një analizë e mirëfilltë për nevojat e industrisë që sistemi i AAP-së të mund t’i përshtatet nevojave të tregut.