Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është mbajtur konferenca përgatitore e mbrojtjes në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.
Të pranishëm përmes video-lidhjes ishin Thaçi, Kilaj dhe Fazliu, ndërkaq Kuçi dhe Smakaj kanë hequr dorë nga e drejta për pjesëmarrje, për çka, gjyqtari i vetëm, Christopher Gosnell, tha se kjo lejohet sipas Rregullores së Procedurave dhe Provave.
Gjyqtari Gosnell i ka udhëzuar palët që të paraqiten më 14 dhe 15 prill për dëshminë e mundshme të një dëshmitari të mbrojtjes. Ai njoftoi se javën e ardhshme nuk do të ketë dëgjim të dëshmitarëve. Gjykimi është shtyrë për 14 prill, varësisht edhe nga njoftimet e mëtejme të gjykatësit.
Gosnell: Nuk ka dëshmitar për t’u dëgjuar javën që fillon më 7 prillTutje, përmes një urdhri gojor, Gosnell ka thënë se mbrojtja e Thaçit duhet të dorëzojë kërkesa deri nesër në orën 16:00.
Gosnell: Mbrojtja e Thaçit të jetë sa më konkrete në aspekte të kohës për dëshmitë e dëshmitarëve
Ekipet e mbrojtjes ditë më parë kanë dorëzuar njoftimet e tyre në lidhje me paraqitjen e provave në çështjen gjyqësore në lidhje me akuzat që kanë të bëjnë me administrimin e drejtësisë.
Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë, janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues.
Prokuroria pretendon se posedon dëshmi, përfshirë audio-incizime nga Qendra e Paraburgimit në Hagë.
Hashim Thaçi dhe të tjerët akuzohen nën pretendimet se gjatë vizitave më 2023 në Hagë, të njëjtit i kanë dhënë udhëzime dhe informacione konfidenciale dëshmitarëve për gjykimin për krime lufte.
Ish-presidenti, Hashim Thaçi akuzohet edhe për krime të pretenduara të luftës, bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin nga katërshja e UÇK-së. Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, ku edhe mbrojtja ka thënë se nuk ka asnjë provë që argumenton pretendimet e ZPS-së.
Tashmë çështja i ka kaluar trupit gjykues, i cili ka tre muaj kohë për të marrë vendimin final dhe nëse ka nevojë do të kërkojë edhe kohë shtesë. Kjo pritet të ndodhë për shkak të dosjes voluminoze.Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023, gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë. /Sh.Pajaziti