Kuvendi i Kosovës, në mungesë të kuorumit ka dështuar të miratojë në shqyrtim të dytë, Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor. Për këtë projektligj pati mospajtime të mëdha edhe mes deputetëve të pushtetit, ku për të njëjtin ishin propozuar 42 amendamente, ku 20 prej tyre ishin nga deputeti Visar Korenica, i cili tha se është mbështetur nga dhjetë deputetë për të njëjtat. Ndërkaq, në amendamentet e propozuara nga ai nuk morën pjesë në votim deputetët opozitarë.
Korenica tha se Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar është jashtëzakonisht problematik, ku sipas tij cenohet institucioni i familjes dhe martesës. Ai shtoi se përmes tij i jepet të drejtë të planifikojnë familje edhe individëve dhe jo vetëm çiftit.
Andaj, ai tha se përmes amendamentit të tij e drejta për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar duhet t’i takojë vetëm çiftit.
Për këtë propozim votuan 18 deputetë, nëntë abstenuan, kurse 32 ishin kundër, mirëpo në votim tri herë rresht nuk mori pjesë deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani.
Krahas kësaj, Kuvendi miratoinë lexim të dytë, Projektligjin për metrologji dhe Projektligjin për rregullat e trafikut rrugor.
Ndërkaq, sërish nuk pati kuorum për Projektligjin për tekstet shkollore./KosovaPress/