Me moton "Të rinjtë mbështesin viktimat e dhunës seksuale" është shënuar Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale. Dy të mbijetuarat e këtij krimi kanë thënë se pranvera e vitit 1999 ua kujton tmerrin e përjetuar nga kriminelët serbë. Vasfije Krasniqi bashkë me Shyrete Tahiri Sulimani i kanë prirë marshit të sotëm të organizuar në mbështetje të të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Pas marshimit nga sheshi “Ibrahim Rugova” deri te monumenti “Heroinat”, është prezantuar edhe instilacioni “14 Prilli”, ditë kjo që tashmë njihet zyrtarisht si Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale.
14 prilli i vitit ’99 i ka lënë gjurmë Vasfije Krasniqit për tërë jetën. Ajo tha se ajo ditë do të mbetet në kujtimet më të këqija të saj.
Shyrete Tahiri Sulimani, e cila publikisht kishte dorëzuar padinë pranë Prokurorisë Speciale për dhunë seksuale, deklaroi se pranvera e vitit '98 ka ndryshuar jetën e saj dhe mijëra grave.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu theksoi se së shpejti do të finalizohet strategjia për drejtësinë tranzicionale.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti ka thënë se shënimi i 14 Prillit është reflektimi i zërave të heshtur të të mbijetuarve të dhunës seksuale.
Këshilltarja e presidentes, Donika Kadaj Bujupi tha se dhunimi i më shumë se 20 mijë grave e burrave dëshmojnë se njerëzimi përballet me krimet çnjerëzore.