Marsh në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë
Lexohet për: 2 min.
zeri-im
1 vit më parë
Linku u kopjua

Një marsh në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë do të mbahet nesër në Prishtinë. Në përfundim të tij, do të prezantohet edhe instalacioni “14 Prilli”, ditë kjo që tani zyrtarisht njihet si Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës.

Marshi i cili do të fillojë në orën 12:00 nga sheshi “Ibrahim Rugova” deri të monumenti “Heroinat”, organizohet nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe organizatat anëtarë të Platformës “Bëhu zëri im”, në bashkëpunim me Zyrën e Presidentes së Kosovës.

Zyrtarizmi i 14 prillit si Ditë e të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës, është bërë në mbledhjen e mbajtur dje nga Qeveria e Kosovës, me kërkesë të presidentes së vendit, Vjosa Osmani.

Osmani ka theksuar se ky vendim do t’i kontribuojë ruajtjes së memories kolektive, ndërsa ka përmendur nevojën e solidarizimit me të mbijetuarit e dhunës seksuale.

Lidhur me këtë kanë reaguar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës duke thënë se përmes zyrtarizimit të kësaj dite po njihet dhimbja dhe vuajtjet e të mbijetuarve.

“Përmes zyrtarizimit të kësaj dite, dhimbja dhe vuajtjet e të mbijetuarve po njihen si nga institucionet ashtu edhe nga mbarë shoqëria. Prandaj edhe shënimi i 14 Prillit si Ditë e të mbijetuarve, njëkohësisht shënon edhe njohjen simbolike, e cila është tejet e rëndësishme në integrimin e plotë të të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës. Gjithashtu, shënimi i kësaj dite do të jetë moment i rëndësishëm në dokumentimin e  të vërtetës dhe thirrjes së memories kolektive”, thuhet në shkrimin e QKRMT-së në Facebook.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024