Kryeministrja italiane Giorgia Meloni njoftoi sot largimin e saj si presidente e grupit të Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë në Parlamentin Evropian, teksa foli edhe për marrëveshjen me Shqipërinë, duke përfshirë vendimin e gjykatës për të pezulluar dy transferimet e para të migrantëve.
Meloni në fjalimin përmbyllës në festivalin Atreju, organizuar nga Vëllezërit e Italisë në Romë, ka shprehur besimin për të ardhmen e grupit.
“Ne do të fillojmë procesin e nominimit dhe besoj se miku im, (ish-kryeministri polak) Mateusz Morawiecki, do të jetë mes kandidatëve”, tha Meloni.
Në fjalën e saj, Meloni trajtoi edhe migrimin e parregullt dhe marrëveshjen e nënshkruar me kryeministrin shqiptar Edi Rama më 6 nëntor 2023, e cila përfshin transferimin e migrantëve të parregullt në dy qendra të krijuara nga Italia në Shqipëri, si pjesë e përpjekjeve për të luftuar migracionin e parregullt.Ajo pranoi pengesat, duke përfshirë vendimin e një gjykate të Romës për të pezulluar dy transferimet e para të emigrantëve, duke ndërprerë përkohësisht operacionet në qendrat, të krijuara në tetor. Megjithatë, ajo u zotua se do t'i kapërcejë këto pengesa ligjore.
Duke i quajtur qendrat në Shqipëri një “parandalues” në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe migracionit të paligjshëm, ajo u zotua se ato “do të funksionojnë, edhe nëse më duhet të jem aty çdo natë deri në fund të mandatit të qeverisë sime”.