Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës, sot është mbajtur marshi i UÇK-së në kryeqytet.
Marshi nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe përfundoi në sheshin “Skënderbeu”, ku ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës parakaluan të veshur me uniformat e luftës.
Në homazhe morën pjesë veteranë të luftës së UÇK-së, si dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Rama tha se marshi është organizuar për të kujtuar sakrificën e luftëtarëve dhe dëshmorëve që kontribuan për lirinë e vendit.Komandanti i Zonës së Pestë Operative Llap-Gollak, Islam Kelmendi, tha për Kosovapress se veshja e uniformës së UÇK-së edhe në këtë përvjetor i zgjon të njëjtat emocione që kishte ndjerë kur ajo ishte prezantuar për herë të parë.
“Uniforma e jonë e cila u dalë edhe doli, kuptohet që ka dalë më 28 nëntor 1997, ku e kanë prezantuar në Llaushë atje, e kam fjalën atje në Drenicë. E për atë, sikur atë ditë, sikur sot unë i ndi ato emocione, a kupton? Sepse është diçka e shenjtë, që është uniformë e cila e kemi tonën edhe e kemi rreshtin. Neve na ka munguar një kohë edhe rreshti, sot e kemi rreshtin, sot rreshtohemi, sot e bëjmë me krenarinë më të madhe këtë, se e di për çka po i bëjmë. Kjo është ajo që e bën, e bën pa lodhje, se është vështirë me mbajtur uniformën, po të them të drejtën se ju jeni civilë, po uniforma e ka temperaturën por krenaria mbi të gjitha. Edhe amaneti i shokëve është që do të shkojmë brend, deri në ushtarin e fundit, deri në luftëtarin e fundit”, tha ai