Në seancën në Kuvend në të cilët duhet të zgjidhet Qeveria e re, mandatari për kryeministër Dimitar Kovaçevski ka prezantuar programin e tij për Qeverinë e re, e cila duhet të votohet deri nesër në mesnatë.
Ai tha se zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë zgjidhje për problemet me të cilat ballafaqohet vendi.
Ai shtoi se do të jetë i hapur për të bashkëpunuar me të gjitha partitë dhe institucionet në interes të shtetit.
“Planifikoj t’i ndaj njerëzit në të aftë e paaftë, të ndershëm e të pandershëm, punëtor dhe dembel. Andaj duhet të ketë ndryshime në politikë. Ne politikanët duhet të bashkohemi të bashkëpunojmë. Ne do të dëgjojmë shumë, do të kërkojmë sugjerime”, ka thënë mes tjerash Kovaçevski.
“Pres që shumë shpejt ta tejkalojmë problemin me bullgarinë dhe ruajtjen e pozitave tona për të cilat ka vijë të kuqe. Pres së shpejti të mbahet edhe seanca e përbashkët qeveritare me BE-në. Kovaçevski besoj te Ju dhe puna juaj. Nga ne deputetët do të merrni mbështetjen për programin tuaj por edhe kritika të mëdha nëse nuk do të zbatohet sipas parashikimeve programi”, ka thënë Kaevski.
Pas prezantimit të programit dhe Qeverisë nga mandatari Kovaçevski, VMRO-DPMNE ka deklaruar se vendit i nevojiten zgjedhje urgjente për të dalë nga kriza politike, ekonomike dhe energjetike. Deputeti i kësaj partie, Aleksandar NIkollovski tha se Qeveria e re nuk është e re, por është Qeveri e vjetër e cila do të vazhdojë të veprojë pa vizion.
NIkollovski iu drejtua edhe partive të vogla që janë pjesë të qeverisë se qëndrojnë në këtë Qeveri ose sepse janë të nënçmuar ose sepse janë të kriminalizuar.
“Pse qëndroni në këtë Qeveri, ose sepse jeni të nënçmuara ose sepse jeni të kriminalizuara. Dilni vetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe do ta shihni se sa keni peshë tek opinioni”, ka deklaruar Nikollovski nga VMRO-DPMNE
Nga foltorja e Kuvendit, Snopçe i propozon Kovaçevskit që të flasë për besimin në Qeveri, pasi siç tha ai, kjo është ajo çfarë i mungon Qeverisë së re.
Mungesën e besimit, siç tha Snopçe, e dëshmon me mbajtjen e ministrave paraprake edhe në Qeverinë e re, të cilët dëshmuan se janë të paaftë për të zgjidhur problem dhe për të bartur përgjegjësi.
“Si e para, ju si mandatar duhet të flisni për besimin në Qeverinë. Besimi në Qeverinë shpërfaqet nëse propozoni kuadro të besueshme. Por ju çfarë propozoni? Ja, për shembull ministrat e BDI-së, të cilët kanë qenë në qeverinë paraprake, vazhdojnë të jenë ministra. Kjo tregon se ata kanë qenë të pagabueshëm, kurse nuk kanë asnjë përgjegjësi për asnjë skandal korrupsioni. Ofroni ministra si zotëri Spasovski, zotëri Mariçiqi, zotëri Nikollovski dhe ministra të tjerë të BDI-së që nuk kanë bartur përgjegjësi për dështimin e tyre. Ne jemi vendi me nivelin më të lartë të korrupsionit në Evropë, kurse ministri që ishte përgjegjës për të luftuar korrupsionin, vazhdon të jetë ministër në Qeverinë tuaj. Ne dhamë 200 pasaporta për narko-kriminelët që të shëtisin lirshëm duke rrezikuar zonën Shengen. Kishim skandale të shumta: (Sasho)Mijallkov kur dëshiron hyn, kur dëshiron del nga shteti, ish kryeministri (Nikolla) Gruevski iku, kurse zotëri Spasovski vazhdon të jetë ministër i Punëve të Brendshme. Ne të gjithë bashkërisht themi se gjyqësori nuk funksionon, se Ligjet nuk zbatohen dhe se kemi pandëshkueshmëri të personave që janë të afërt me Latasin. Këtë e tha edhe presidenti para vitit të ri, ndërkaq Mariçiqi vazhdon të jetë pjesë e Qeverisë. Zotëri mandatar, kështu nuk fitohet besimi”, tha mes tjerash Snopçe./AlsatM