Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot priti në takim gjeneralin amerikan Wesley Clark, të cilit i shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për udhëheqjen e fushatës ajrore të NATO-s kundër forcave ushtarake të regjimit pushtues serb.
Në takim u diskutua mbi progresin e ndjeshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në realizimin e objektivave të dakorduara në kuadër të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit.
“Takime si ky na japin emocion dhe janë rikujtues i kohërave të vështira të angazhimit të përbashkët për liri. Kur po luftonim me bashkëluftëtarë kundër së keqes që i kanosej vendit tonë, ndihma nga ajri përmes NATO-s ishte vendimtare për përmbylljen e luftës. Wesley Clark, po komandonte forcat e NATO-s në ndërhyrjen humanitare që do të ndryshonte përgjithmonë të ardhmen e vendit tonë”, u shpreh ministri Maqedonci.