Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se ditët e fundit institucionet shtetërore në Serbi kanë rritur nivelin e shpërfaqjes së ideve të vjetra, të cilat për bazë kanë hegjemoninë dhe mos durimin etnik.
Në një postim në Facebook, ministri Maqedonci ka shkruar se vendosja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi vë në pah se institucionet serbe po synojnë që Ballkanin ta fusin në garë të kapaciteteve ushtarake.
Ai thotë se regjimi aktual i Beogradit është vazhdimësi e regjimeve të kaluara të Serbisë duke shtypur liritë më elementare në Serbi dhe si shembull merr rastin e opozitarit Nikola Sanduloviq, i cili u rrah brutalisht nga BIA serbe pasi bëri homazhe dhe kërkoi falje për krimet serbe në Kosovë.
“Para se (ministri serb i Mbrojtjes i Serbisë, Milosh) Vuçeviq të “ëndërrojë” kolonat e kosovarëve duke lënë Kosovën duhet të shqetësohet për nivelin e represalieve që regjimi të cilit ai i takon është duke ushtruar kundër qytetarëve të tij. Dhuna dhe veprimet ndaj opozitarit Nikola Sanduloviq dhe ndaj çdo zëri tjetër demokratik janë tashmë të njohura nga shembujt e ngjashëm që i shohim e dëgjojmë pothuajse çdo ditë në Federatën Ruse, Korenë e Veriut dhe Iran”, thotë ministri Maqedonci.
“Për më tepër përmes shërbimit të detyrueshëm, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë tenton të fshehë moralin dhe motivin e ulët të ushtarakëve serbë për t’i shërbyer regjimit aktual. Kjo është edhe një ndër arsyet pse lidershipi aktual në Serbi e ka të domosdoshme shfrytëzimin e kriminelëve dhe grupeve jo-formale për të shtyrë para interesat e tij. Në fund përmes shërbimit të detyrueshëm, institucionet në Serbi, synojnë që regjionin e Ballkanit ta fusim në garë të kapaciteteve ushtarake, me qëllim destabilizimin, pengimin e integrimit euro-atlantik të rajonit, dobësimin ekonomik të fqinjëve dhe krijimit të ndjesisë së luftës në prag”, thotë Maqedonci.
Pavarësisht shpërfaqjes agresive të fqinjit verior, ministri Maqedonci thotë se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e integrimeve euro-atlantike dhe vazhdon të mbështesë zhvillimin e ushtrisë së saj në përputhje me standardet e NATO-s.