Maloku: Personave të dyshuar në rastin “Brezovica” u janë ngrirë gjashtë milionë euro
Lexohet për: 5 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Personave të dyshuar në rastin “Brezovica”, u janë ngrirë rreth gjashtë milionë euro. Ky aksion ka nisur në fund të vitit të kaluar dhe ka vijuar edhe sot në nëntë lokacione të tri komunave. Policia e Kosovës ka ndaluar tre persona, një është lëshuar me procedurë të rregullt dhe pesë persona janë në kërkim.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari tha se bastisjet gjatë ditës janë bërë në Shtërpcë, Prizren e Prishtinë, si dhe disa zyre në Ministrinë e Mjedisit ku janë sekuestruar disa prova materiale.

Në konferencën e sotme, ai bërë të ditur se objekt hetimi kanë qenë edhe disa serbë, ku një prej tyre është i shtrirë në spital, një në Serbi dhe dy të dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt.


“Me vendim të prokurorit sot është ndaluar për 48 orë, Bedri Halimi, kryeinspektor i Ministrisë së Mjedisit për shkak të dyshimeve të bazuara se ka kryer veprën penale, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar. Gjithashtu është ndaluar ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku për veprat penale për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe marrje të ryshfetit. Po ashtu në këtë aksion është ndaluar me vendim të prokurorit edhe një investitor në lagjen në Brezovicë nën dyshimin se ka kryer veprën penale, ushtrim i ndikimit dhe marrje e ryshfetit”, ka njoftuar ai.

Prokurori Rasim Maloku tha se gjatë bastisjeve në disa lokacione janë ndaluar edhe disa persona të tjerë, ku po ashtu u zotua se ky nuk është aksioni i fundit dhe se do të vazhdojë edhe ditëve të ardhshme.

“Kanë qenë edhe disa të ndaluar, por për shkak të rrethanave disa janë lëshuar janë lënë në procedurë të rregullt. Ndërkaq, katër persona janë në kërkim meqë nuk janë gjetur në shtëpitë e tyre. Kanë disa lokacione të banimit dhe nuk janë hasur në rastin e vendimit të urdhër kontrollit. Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit janë konfiskuar disa prova materiale, vetura, armë... Gjatë zhvillimit të hetimeve brenda kësaj periudhe prej 21 dhjetorit deri ditën e sotme, nga të dhënat bankare që kemi siguruar nga bankat që posedojnë këta të pandehur dhe familjarë të tyre, deri tani kemi ngrirë afër gjashtë milionë euro. Shumica e këtyre mjeteve janë të vet të pandehurve, kurse një pjesë e tyre nga familjarët e tyre që dyshohet se janë mjete që janë përfituar si dobi pasurore nga letrat penale”, ka theksuar ai.

Shefi i hetimeve të krimeve të rënda, Agron Haziri, ka thënë se pesë persona janë në kërkim pas aksionit të së enjtes.

“Janë pesë persona, për shkak se një person e kemi pritur që të vije por i është shmangur ardhjes. Jemi në kërkim të tij... Janë tre të ndaluar, një është lëshuar me procedurë të rregullt dhe pesë persona në kërkim”, ka deklaruar ai.

Ai po ashtu ka folur edhe për provat materiale që janë sekuestruar.

“Në xhirollogaritë bankare të personave të dyshuar kemi identifikuar vlerën monetare 5 milionë e 389 mijë euro dhe 86 mijë e 446 dollarë amerikanë. Gjatë kontrollit të sotëm janë sekuestruar edhe dëshmi dhe prova materiale si në vijim: është sekuestruar një veturë e tipit BMË- X1, armë 163 fishekë, një kuti me armë, një karikatorë i zbrazët, një shtëpizë kompjuteri, telefon mobil, usb, pesë video kaseta, uniformë me mbishkrimin “Policia” e ish sistemit jugosllavë ose serb. Një anti-plumb dhe dokumente të ndryshme”, ka thënë ai.

Më tej, është folur edhe për aksionin e dhjetorit të vitit të kaluar, ku prokurori Rasim  Maloku ka theksuar se është bërë ngrirja e pasurive të atyre personave. Ai tha se janë në proces të identifikimit të vilave, por që për këto detaje u shpreh se do të flasin të hënën.

Ndërsa për bastisjet në Ministrinë e Mjedisit, ai tha se kanë konfiskuar një numër të madh të dokumentacionit.


“Është e vërtetë që është konfiskuar një numër i madh i dokumentacionit që kanë të bëjnë me pëlqimet ujore, leje ujore, leje mjedisore, aktvendime të ndryshme që janë dhënë për lëshimin e lejeve. Sa i përket çështjes së hidrocentralit, kjo çështje nuk ka qenë objekt i trajtimit në këtë çështje. Lejet ujore për hidrocentral nuk janë objekt i trajtimit të kësaj çështje”,
ka njoftuar Maloku.

Në fund të dhjetorit të vitit 2021, ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizimit, disa zyrtarë të tjerë dhe pronarë firmash janë arrestuar, për shkak të dyshimit për ryshfet e keqpërdorim të detyrës zyrtare me ndërtimet në Brezovicë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024