Klubi i futbollit Malisheva është duke kaluar nëpër një formë të jashtëzakonshme të rezultateve në këtë edicion të Superligës së Kosovës në futboll. Skuadra e udhëhequr nga trajneri i ri Qëndrim Kida ka mbledhur 41 pikë pas 23 xhirove dhe renditet në vendin e katërt në tabel.
Por,, në radhë është ballafaqimi me Ballkanin në çerekfinalen e Kupës së Kosovës, kompeticion ky në të cilin Malisheva dëshiron të shkojë sa më larg, raporton KosovaPress.
“Në ndeshjen e çerekfinales së Kupës së Kosovës, këtë të enjte, në ora 13:00, në Liman Gegaj, ju ftojmë të gjithëve që të bashkohemi në këtë shfaqje të jashtëzakonshme futbolli, ku skuadra jonë do të përballet me kundërshtarin më të fortë në vend Ballkanin. Ky është momenti që të tregohemi të bashkuar dhe do të jemi burim i motivimit për ekipin tonë. Tifozët janë forca e pandalshme që mund të çojë skuadrën drejt fitores. Nuk ka rëndësi në cilën anë të qytetit jemi, të gjithë bashkohemi në rrugët që qojnë në “Liman Gegaj”, thuhet në thirrjet e Kf Malishevës të lëshuar në faqen zyrtare.
Ballafaqimi ndërmjet Malishevës dhe Ballkani zhvillohet të enjten në stadiumin “Liman Gega” me fillim nga ora 13:00.