Kandidati i LDK-së Besim Mulaj - ministrit Peci: Koha juaj merr fund më 9 shkurt
Zgjedhjet 2025
Lexohet për: 2 min.
Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Besim Mulaj ka kritikuar qeverisjen aktuale dhe ministrin e Bujqësisë Faton Peci për dështim në mbrojtjen e rendimenteve të bujqve nga dëmet e breshrit.
Mulaj, i cili në listën zgjedhore të LDK-së ka numrin 79, ka shprehur shqetësimin se Kosova çdo vit humb miliona euro nga dëmet e breshrit në sektorin e bujqësisë, e gjithë kjo në mungesë të sistemit antibreshër.
“Fermerët përballen me dëme të mëdha në prodhime, ndërsa shteti, në vend që të investojë në një sistem efikas antibreshër, shpenzon miliona euro në forma të tjera pa rezultate konkrete. Është e pakuptueshme që në një kohë kur teknologjia ofron zgjidhje për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore, bujqësia jonë vazhdon të mbetet viktimë e breshrit. Sistemi antibreshër nuk është luks, por një domosdoshmëri për ruajtjen e prodhimeve bujqësore dhe të ardhurave të fermerëve”, ka shkruar Mulaj në Facebook.
Kandidati i LDK-së ka përkujtuar ministrin aktual të Bujqësisë se buxheti për bujqësinë është i pamjaftueshëm.
“Është koha për zgjidhje konkrete dhe afatgjata, jo për justifikime të përvitshme. Sistemi antibreshër duhet të jetë prioritet. Në të kundërtën, çdo sezon do të vazhdojmë të numërojmë humbjet dhe të shohim fushat e fermerëve të shkatërruara. Shyqyr që koha juaj po përfundon. LDK është zgjidhja, prandaj 9 shkurti do t’ju pensionojë”, ka përfunduar Mulaj.
#BëhuNdryshimi #ldk124 #NR79 #LDK