Arrin në Pejë ekspozita fotografike “Italian Routes - Rrugët italiane. Malet, alpinizmi, ndryshimet klimatike”, konceptuar dhe kuruar nga fotografi i peizazhit Fabiano Ventura dhe promovuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar e Italisë në bashkëpunim me Ambasadën Italisë në Prishtinë dhe Institutin Italian të Kulturës në Tiranë. Çelja, në prani të ambasadorit Antonello De Riu dhe kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, është caktuar për sot, e mërkurë, 28 dhjetor, në orën 16:00 në Galerinë e Arteve në Shtëpinë e Kulturës në Pejë, rr. Enver Hadri, ku ekspozita do të jetë e hapur nga data 29 dhjetor 2022 deri më 29 janar 2023 (e hënë - e premte, ora 10:00-17:00; e shtunë dhe e diel, ora 10:00-13:00).
“Me këtë ekspozitë, që tashmë ka shtegtuar në Vietnam, Kore, Zvicër, Gjeorgji dhe njëkohësisht është e hapur në Shqipëri, synojmë të bartim te publiku traditën e madhe italiane të lidhur me kulturën malore dhe alpinizmin, si mjet për të kuptuar territorin malor”, ka deklaruar ambasadori De Riu. “Jo rastësisht zgjodhëm Pejën për të çelur ekspozitën. Në Pejë, agjencia italiane "Bashkëpunimi italian për Zhvillim" është duke realizuar projektin “NaturKosovo” realizuar nga OJQ italiane “RTM” në bashkëpunim me Klubin Alpin Italian (KAI) dhe Fondacionin Utalaya, për t'u dhënë vlerë burimeve kulturore, historike dhe natyrore të njërës prej zonave më piktoreske të rajonit, në mënyrë që të stimulohet një zhvillim ekonomik që respekton ambientin, krijon vende pune për banorët e Rugovës, mbështetet institucionet vendore për menaxhimin e turizmit dhe promovon shtegun kosovar të Via Dinarica”, theksoi ambasadori.
Një pjesë e ekspozitës prezantohet njëkohësisht në Tiranë, Shqipëri, në ambientet e Hapësirës Ekspozuese Harabel (Rr “Ibrahim Rugova”), në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës. Për skenën e Tiranës është përgatitur një ekspozitë kushtuar maleve shqiptare, alpinistit dhe fotografit të njohur Fation Plaku.
Fabiano Ventura është një fotograf peizazhi, i specializuar në çështjet mjedisore. Ai ka marrë pjesë në ekspedita të shumta shkencore, fotografike dhe alpinistike në vendet më të egra dhe më të largëta të Tokës. Që nga viti 2007 është përfshirë në projektin “Sulle Tracce dei Ghiacciai” (Mbi gjurmët e akullnajave) krijues dhe regjisor i të cilit është vetë ai. Vëmendja e tij ndaj çështjes së ndryshimeve klimatike ka bërë që vitet e fundit të përqendrojë një pjesë të madhe të veprimtarisë së tij në një qëllim: përhapjen sa më të madhe të njohurive për këtë fenomen në publikun e gjerë. Kështu, i shoqëruar nga studiues dhe regjisorë, ai shkoi të fotografonte drejtpërdrejt transformimet e pabesueshme të akullnajave më të mëdha në botë dhe po shpërndan rezultatet e punës së tij përmes krijimit të ekspozitave, konferencave, programeve edukative, instilacioneve, dokumentarëve.