Të ardhurat për 7 mujorin e parë të këtij viti në Shqipëri, janë 8.2% më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kështu bën me dije Ministri i Financave, Petrit Malaj i cili shkruan se të ardhurat totale për këtë periudhë u realizuan në masën 402,51 miliardë lekë.
Sa i përket shpenzimeve për 7 mujorin e parë të këtij viti, sipas Ministrisë së Financave, arritën në 347.5 miliardë lekë, me një realizim në masën 92.3% të planit. Krahasuar me një vit më parë, ky zë ka rezultuar 6.3 % më i lartë.
“Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 7 mujore të vitit 2024, arritën në rreth 347.5 miliardë lekë me një realizim në masën 92.3% të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 ky zë ka rezultuar 6.35 më i lartë ose rreth 20.5 miliardë lekë më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 7 mujorin e vitit 2024 u realizuan në masën 47.1% të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 46.7% të planit vjetor sipas Aktit Normativ nr. 1 datë 21.02.2024 (AN nr.1). Shpenzimet korente për periudhën 7 mujore të vitit 2024 rezultuan në rreth 314.7 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 8.5% më i lartë ose rreth 24.8 miliardë lekë më shumë”, njofton Ministria./RTSH