Shtetet e Bashkuara të Amerikës akuzuan Venezuelën për manipulim dhe represion zgjedhor duke thënë se shpalljes së mandatit të tretë të presidentit Nicolas Maduro, "i mungon çdo besueshmëri".
Zyrtarët e administratës së presidentit Joe Biden nuk njoftuan ndonjë masë të re ndëshkuese, por nuk përjashtuan vendosjen e sanksioneve shtesë.
Nicolas Maduro u shpall zyrtarisht president i zgjedhur nga Këshilli Kombëtar Zgjedhor (CNE) të hënën, ndërsa opozita pretendon fitoren dhe shumica e komunitetit ndërkombëtar është skeptik ndaj rezultateve.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres ka bërë thirrje për transparencë të plotë në zgjedhjet në Venezuelë dhe tha se është e nevojshme të publikohen rezultatet e zgjedhjeve sipas zonave zgjedhore, tha të hënën zëdhënësi Stephane Dujarric.
Të hënën, nëntë vende të Amerikës Latine kërkuan një "verifikim të plotë" të rezultateve të zgjedhjeve në Venezuelë.
Argjentina, Kosta Rika, Ekuadori, Guatemala, Panamaja, Paraguai, Peruja, Republika Domenikane dhe Uruguai "kërkojnë një verifikim të plotë të rezultateve me praninë e vëzhguesve të pavarur të zgjedhjeve" dhe një takim nën kujdesin e Organizatës së Shteteve Amerikane, sipas një deklarate të përbashkët të nëntë vendeve të publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Argjentinës.