Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se personalisht do të mbetet i angazhuar në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e para së gjithash në krijimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe.
“Në vitin 2019, kur fola për çështjen e Kosovës, fola për guximin e nevojshëm për të arritur një kompromis. Të bindur se ky guxim ekziston në Serbi, ne, së bashku me Gjermaninë dhe partnerët tanë evropianë, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, donim të ndihmonim rajonin të shmangte lëvizjet e njëanshme, deklaratat e pamatura, ngritjen e tensioneve, viktimat kryesore të të cilave janë njerëzit që jetojnë në terren, veçanërisht minoriteti serb në Kosovë”, ka thënë ai për gazetën serbe “Politika”, transmeton KosovaPress.
“Kjo rrugë është e trasuar: çdo gjë që ngadalëson përparimin në atë rrugë është në kurriz të njerëzve që jetojnë atje. Jam i bindur se ky kompromis është në përputhje me interesat e Serbisë dhe, duke pasur parasysh ndjenjat e forta të serbëve për këtë çështje, duke i respektuar ata, ftoj Serbinë dhe ftoj të rinjtë në Serbi të zgjedhin paqen dhe të zgjedhin të ardhmen. Personalisht do të mbetem e angazhuar, pasi jam i sigurt se BE-ja në tërësi do të mbetet në zbatimin e Marrëveshjeve të Ohrit dhe, para së gjithash, në krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka shtuar Macron.
Kreu i shtetit francez do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Serbi sot dhe nesër.