LVV bën krahasimin e 14 raporteve të KE-së për Kosovën: Tash është më i miri
Lexohet për: 5 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) vlerëson se Raporti i Progresit për Kosovën nga Komisioni Evropian  është më i miri ndër vite, pasi sipas tyre, për herë të parë nuk është raportuar për ndërhyrje politike  në në sistemin e drejtësisë, administratës publike, transmetuesin publik dhe në agjencione të pavarura.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli dhe deputeti Armend Muja në emër të grupit, në një konferencë për media, thanë se bazuar në raport, Kosova s'ka pasur asnjëherë vlerësim më të mirë.

Deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli tha se për herë të parë, Komisioni Evropian ka evidentuar progres, derisa nuk ka evidentuar regres në asnjë fushë.

“Nga 14 raporte ky është raporti me i mirë në krahasim me raportet e viteve të kaluara dhe më i miri në krahasim me shtetet e rajonit, ky është raporti i parë ku nuk evidentohet ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë, administratës publike, sidomos në punësimin e shërbyesve civilë, në transmetuesin publik, dhe në institucione e agjenci të pavarura. Në të gjitha raportet kaluara ndërhyrjet politike evidentoheshin si fenomene shqetësueses, në këtë raport evidentohet zero ndërhyrje dhe zero ndikim politik. Ky është raporti i parë ku evidentohet shumë më shumë progres dhe nuk evidentohet regres dhe kthim prapa”, tha ajo.

Sa i përket vlerësimit të punës së Kuvendit, Pacolli tha se si çdo vit tjetër edhe këtë vit është theksuar se ky institucion është ndikuar negativisht nga një atmosferë e polarizuar politike dhe me vështirësi për ta siguruar kuorumin.

Ajo tha se Kuvendi gjatë periudhës raportuese ka thyer rekord me numrin e ligjeve të miratuara.

“Kuvendi gjatë periudhës raportuese ka thyer rekorde me numrin e ligjeve të miratuara, marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara dhe nismave legjislative. Gjatë periudhës raportuese, nga qershori vitit 2021-deri në qershor 2022, Kuvendi ka miratuar 123 ligje, në mesin e tyre 31 marrëveshje ndërkombëtare, ndërsa viteve të tjera maksimumi i ligjeve të miratuara ka qenë 50 ligje. Një pjesë e madhe e tyre janë prioritet për agjendën evropiane ndërsa një pjesë tjetër janë ligje me rëndësi jetike. Kemi përfunduar rregulloren e Kuvendit e cila nuk është ndryshuar që nga viti 2011 dhe kemi filluar reformën zgjedhore e cila ka qenë kërkesë e BE-së”, ka shtuar Pacolli.

Pacolli ka shtuar se përkundër ballafaqimit dhe sfidave që kanë qenë të përbashkëta me të gjitha shtetet, Kosova ka përformuar shumë më mirë se vendet tjera, ndërsa ka thënë se në raport me shtetet fqinjë Kosova ka qenë bashkëpunuese e pranueshme dhe aktive në të gjitha organizatat rajonale.

Më tej, ajo tha se për Serbinë raporti i Komisionit Evropian është më shumë se që duhet i balancuar. Sipas saj, Komisioni Evropian padrejtësisht i kërkon vetëm Kosovës që të angazhohet në mënyrë konsultive në dialog.

Komisioni Evropian padrejtësisht i kërkon vetëm Kosovës që të angazhohet në mënyrë konsultive në dialog, kjo qasje nuk është e drejtë kur kemi të bëjmë me Kosovën e cila aleatë ka vetëm shtetet demokratike... Derisa Kosova po bënë hapa gjigand drejt avancimit dhe thellimit të demokracisë, Serbia në raportet e organizatave ndërkombëtare po renditet një ndër vendet e para që po rrëshqet me shpejtësi të madhe drejt autokracisë. Kjo qasje e Komisionit Evropian është në shpërputhje të plotë me vet angazhimin e BE-së për paqe, dhe dëmton përpjekjet e shteteve të rajonit të cilat angazhohen dhe kontribuojnë në avancimin e demokracisë”, tha ajo.

Armend Muja, deputet i VV-së, tha se në ndërkohë që Kosova është duke ecur drejt evropianizimit, në Serbi ka një progres dhe përafrim me tendencat arkaike ruse dhe këto sipas tij krijojnë probleme të pajtimi i vendeve.

"Komisioni Evropian e komandon qasjen e kuvendit e sidomos të mazhorancës në raport me iniciativën siç është kërkesa për tërheqjen e TRUST-it. Në raport me progresin e kemi mbajt një qëndrim kundër, sepse kemi menduar që kjo është për të mirën e qytetarëve të Kosovës. Në raportin e progresit po ashtu evidentohet arritje të larta te politika fiskale dhe menaxhimi dhe kontrolli financiar, evidentohet që ka pas një rritje të buxhetit ose mbledhje të hyrave tatimore 30 për qind që mund të jetë për herë të parë në Kosovë... Si përfundim Komisioni Evropian po ashtu e lavdëron punën e Kosovës tek energjia e ripërtritshme në mungesë të investimeve në kapacitete energjetike”, tha ai.

Ndërsa sa i përket arsimit, Muja tha se ajo që evidentohet në raport është se Kosova ka një mungesë mes arsimit dhe ekonomisë.

“Të arsimi ajo qe evidentohet në raport është se Kosova ka një mungesë të lidhjes mes arsimit dhe ekonomisë, kjo ka ardhur për shkak të planifikimit të dobët në dekadën e fundit tek orientimi i fuqisë  punëtore...Ajo çka evidentohet në raport është nevoja që të investohet të edukimi parashkollor, me të drejtë potencohet që ka pasur progres tek inicimi i ligjit për fëmijërinë e hershme”, ka shtuar ai.

Po ashtu, Muja ka komentuar edhe veprimin së premtes gjatë një kongresi në Gjermani, në të cilën kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke ia mbyllur sytë. Ai tha se politikanët shqiptarë t’ia qelin sytë njëri-tjetrit pak më shumë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024