Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku, ka shprehur shqetësim për nominimin e Glauk Konjufcës nga Lëvizja Vetëvendosje, duke thënë se kjo prish përpjekjet për një dialog dhe zgjedhjen e një presidenti konsensual.Sipas saj, deputetët e LDK-së nuk marrin pjesë në seancë nëse emrat nuk janë konsensualë dhe nuk ka marrëveshje politike.
“Kemi një prezantim të një kandidati partiak, i cili e prish edhe përpjekjen e dialogimit dhe zgjedhjen e një presidenti që do t’i printe Kosovës dhe do të shprehte një balancë të forcave politike ashtu siç e definon Kushtetuta e Kosovës . Meqë nuk është ky rast, ne si LDK e kemi parë me shqetësim kahjen e re të këtij procesi dhe mbylljen e një mundësie që të gjendet ndonjë kompromis, i cili do të përfaqësonte qytetarët, do të jepte zgjedhje politike, do të mënjanonte bllokadat sistematike institucionale dhe do t’i jepte qytetarëve stabilitet politik. Kjo është një rrugë njëkahëshe, pa krye, është një drejtim kah zgjedhjet e reja, të cilat janë totalisht të panevojshme dhe e paraqet tendencën për të kapur institucionet kryesore politike në vend, çfarë e rrezikon edhe krejt sistemin demokratik të Kosovës. Me sot po e shprehim indinjatën tonë, kemi dhënë si parti gjithçka, kemi provuar të jemi prezent në dialogim në diskutime dhe kemi provuar që t’i japim zgjidhje vendit duke ofruar mundësinë e dialogimit nga ana jonë”, ka thënë Lushtaku.
“Absolutisht e kemi dhënë kontributin tonë në dialog, aty është insistuar që të sqarohet procesi, kemi dhënë gatishmëri që të japim edhe kontributin tonë edhe për një marrëveshje politike edhe për kosensues më të gjerë. Nuk është që një parti politike duhet të jep emra. Gjatë dialogimit dalin emra konsensual, atëherë kur definohen kriteret dhe ka pajtueshmëri mbipartiake për kriteret qe duhet t’i ketë një president i vendit. Absolutisht pajtohem, i takon partisë më të madhe që i ka votat, për të kontribuar dhe dhënë versionet e saj. Gjithsesi ka pasur një dakordim që imponim të emrave njëanshëm nga një parti politike të mos ketë”, deklaroi ajo.
Ajo theksoi se LDK nuk do të marrë pjesë në votim nëse emrat nuk janë konsensualë.Për një një bashkëpunim apo rikthim të mundshëm të Vjosa Osmanit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, shefja e grupit të kësaj partie, Jehona Lushaku tha se LDK është shtëpi e madhe, por që për këtë vendos kryesia.
“Këto janë situata hipotetike ne do të shohim në të ardhmen se si do të zhvillohen ngjarjet politike ajo që është tepër e rëndësishme është që mundësitë si parti politike për të krijuar stabilitet politik për t’i mirëmbajtur institucionet t’i dalin....LDK është shtëpi e madhe kështu që ne shohim dhe bëjmë secili përfaqëson vlerat politike duhet gjithmonëë të qëndrojmë brenda vlerave të cilat ne përfaqësojnë ideologji brenda partive politike ka ideologji e dakordime kur i takon një blloku politik je i mirëseardhur në një shtëpi, tani nuk është diçka që e përcaktoj as unë, e përcakton anëtarësia e LDK, e përcakton vullneti ësht vullnet politik dhe kjo i takon së ardhmes”, tha ajo.
Lushaku tha se në takimet e Lumir Abdixhikut me Albin Kurtin nuk janë diskutuar emra të përveçëm dhe se tani do ta shqyrtojnë kandidaturën e Glauk Konjufcës.
Sipas saj, afatet kushtetuese janë të qarta dhe çdo përpjekje për të krijuar mjegull apo për të zvarritur procesin bie mbi Vetëvendosjen, që ka numrin më të madh të deputetëve dhe mund të kontribuojë më shumë në sigurimin e një procesi të drejtë.
“Afatet kushtetuese janë të qarta. Kushtetuta është tejet e qartë, nuk ka paqartësi, ka vetëm tendencë për të hedhë mjegull, dhe për të krijuar situata të cilat zvarrisin themelimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit në këtë rast. Krijojnë hapësirë që një parti politike të qeverisë e vetme vendin dhe institucionet, por nuk është kjo demokracia për të cilën është e definuar me kushtetutë Kosova. Këtu përgjegjësinë kryesore e ka Vetëvendosje meqë ka numrin më të madh të deputeteve aty, dhe si e tillë mund të jep më së shumti në këtë proces”, ka nënvizuar Lushaku. /B.Ibishi//E. Krasniqi/