Është vendosur gurthemeli i dy urave të reja mbi lumin Ibër, në vlerë afro tre milionë euro. Aty kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk e ka konfirmuar nëse janë koordinuar me Bashkimin Evropian sa i përket ndërtimit, duke thënë se punojnë në bazë të ligjit dhe në të mirë të qytetarëve, derisa theksoi se do të hapet edhe ura kryesore.
Në ceremoninë e vendosjen e gurthemelit morën pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, nënkryetarin e Komunës së Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Kurti sqaroi se ura për automjete dhe këmbësorë do të jetë 51 metra e gjatë dhe 10 metra e gjerë, ndërsa ajo vetëm për këmbësorë, do të ketë një gjatësi prej 41 metrash dhe gjerësi prej 37 metrash.
Ai shtoi se përfundimi i punimeve të këtyre dy urave pritet të të përmbyllet në vjeshtën e vitit 2025.
Ai u pyet nëse është dakorduar me Bashkimin Evropian për vendosjen e gurthemeleve, për çka tha se gjithçka që bëjnë është në përputhje me planet, sipas ligjit dhe në të mirë të qytetarëve.
Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se u tregua efikasiteti i qeverisë kur u pyet se pse përfundoi për dy javë tenderimi për këto dy ura.
Sipas Kurtit, sa më shpejtë të hapet Ura e Ibrit është më e arsyeshme, duke theksuar se kjo varet edhe nga karabinierët italian që qëndrojnë aty.
Sipas tij, ka kaluar koha e barrikadave.
Aliu potencoi se këto ura do t’i lidhin komunën e Veriut me atë të Jugut.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se vendosja e gurthemelit të dy urave në Ibër është një moment shumë i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Mitrovicës së Jugut dhe Veriut.
Gurthemeli i urës për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve u vendos në afërsi të ndërtesës së Komunës së Mitrovicës së Veriut. Ndërkaq, gurthemeli i urës për kalimin e këmbësorëve u vendos përballë kopshtit të fëmijëve “Gëzimi Ynë” në Mitrovicën e Jugut.