Kampionia e Evropës në atletikë Luiza Gega u prit sot me një ceremoni në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë.
Në ceremoninë e pritjes ishte e pranishme ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ministrja për Fëmijët dhe Rininë, Bora Muzhaqi, Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli etj.“Kupa e Botës, Finalja e “Conference League”, Kampionati Evropian i Peshëngritjes. Ngjarje këto që kontribuojnë edhe në promovimin e Shqipërisë, në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë shqiptare. Po ashtu, domethënëse ka qenë edhe pjesëmarrja e sportistëve tanë në ngjarjet e rëndësishme sportive në botë. Kampionate, lojëra olimpike, mesdhetare. Dhe rezultatet kanë qenë si asnjëherë tjetër, Shqipëria po ngrihet në një nivel të ri në arenën ndërkombëtare”,- theksoi Kushi.
Ministrja Kushi tha se kjo e rrit akoma më shumë përgjegjësinë për më shumë mbështetje për sportin në përgjithësi dhe sportistët elitare në veçanti.
Kushi theksoi se, zhvillimi i infrastrukturës sportive vazhdon të jetë një sfidë, për t’u krijuar sportistëve kushte sa më të përshtatshme.
“Dy aktivitetet e mëdha dhe të rëndësishme, “Conference League” dhe “Kampionati i 100-të Evropian i Peshëngritjes” dëshmuan që investimet në infrastrukturë janë një potencial për të mirëpritur aktivitete prestigjioze ndërkombëtare, të cilat përkthehen edhe në benefite ekonomike për vendin”, tha Kushi.
Kampionia Luiza Gega tha se “ju falënderoj shumë për këtë pritje, ndihem shumë e vlerësuar. Ndoshta jam lodhur shumë për të qenë këtu sot, kam shumë vite që sakrifikoj për të qenë këtu jo me detyrim por me dëshirë, zgjodha të përfaqësoj qoftë veten time, por edhe ngjyrat e flamurit tim, dhe do mundohesha çdo ditë ti përfaqësoja denjësisht”.
“Sot jam më krenare se kurrë për ato ngjyra, kjo ishte edhe arsyeja pse ndoshta derdha lot në vijën e finishit, pasi mu kthye e gjithë koha mbrapsht për mundin e sakrificën e bërë. I tregova Evropës se edhe ne mund t’ia dalim edhe pse jemi një vend i vogël dhe me shumë gjëra për të përmirësuar, por përsëri nëse punojmë fort dhe e duam këtë vend dhe atë që bëjmë, ne mund t’ia dalim”.
“Këtë e kam ndjerë dhe e tregojnë rezultatet e mia, qoftë edhe ligji për sportin, shpërblimet më kanë dhënë një shtysë për të qenë edhe këtu sepse mbrapa ka edhe një shpërblim që merret, por qoftë edhe për gjithë mbështetjen nga Komitetit Olimpik apo Ministria e Arsimit dhe Sportit, qoftë edhe e Mbrojtjes ku unë bej pjesë, apo edhe bashkia e Tiranës. Kanë bërë të gjithë këtë që të vijë edhe kjo medalje që i kishte munguar atletikës. Uroj që të rinjtë shqiptarë të motivohen se mund t’ia dalin”, tha Gega.
Ajo falënderoi gjithashtu trajnerin e saj për rezultatin e arritur.
Ndërsa ministrja Buzhaqi përgëzoi Luiza Gegën për rezultatin e arritur si dhe për të gjithë mundin dhe përpjekjet e saj.
Luiza Gega u shpall kampione e Evropës në garën e 3 000 metrave me pengesa. Ajo arriti të thyejë edhe rekordin e kampionatit evropian, me kohën 9 minuta, 11 sekonda dhe 31 të qindtat. Kampionia shqiptare shkoi në finale me kohën më të mirë në fazën kualifikuese dhe ishte pretendentja kryesore për të fituar këtë garë.