Derisa pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia po i afrohet përvjetorit të katërt, konflikti po përkufizohet gjithnjë e më shumë nga qëndrime të ashpra dhe kufizime strukturore që lënë pak hapësirë për ndonjë përparim përmes bisedimeve, thanë ish-diplomatë dhe analistë amerikanë.
Pengesa kryesore për përparim në zgjidhjen e luftës më të madhe tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore nuk është mungesa e angazhimit diplomatik, por mosgatishmëria e Moskës për t’i rishqyrtuar synimet e saj të luftës, thanë ekspertët.
“Këto bisedime nuk do të çojnë askund”, i tha Volker Radios Evropa e Lirë (REL) në një intervistë.
Sipas tij, bisedimet domethënëse për një armëpushim ose një zgjidhje politike do të kërkonin ndryshim themelor në stimujt e Kremlinit, si trysnia e shtuar ndërkombëtare ose kapaciteti i kufizuar për t’i vazhduar operacionet ushtarake.
“Formati nuk ka rëndësi; ka rëndësi përmbajtja”, tha ai, duke sugjeruar se Uashingtoni mund të përpiqet t’i ndryshojë llogaritjet e Moskës përmes mjeteve si sanksione dytësore ose dërgesa të zgjeruara armësh për Ukrainën, hapa që ai beson se ende nuk janë përdorur plotësisht.
James Gilmore, i cili shërbeu si ambasador i SHBA-së në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë gjatë administratës Trump, tha se ndarja e thellë midis Kievit dhe Moskës pasqyron shkaqet themelore të luftës: Rusia po kërkon të ruajë territorin që ka pushtuar dhe të fitojë territor që Ukraina vazhdon ta mbajë, ndërsa Ukraina po lufton për mbijetesën e saj si shtet sovran.
Ai hodhi poshtë sugjerimet se Kievi duhet të dorëzojë tokë si pjesë e një marrëveshjeje për paqe, duke i quajtur lëshimet e tilla “bazë e keqe për përfundimin e konfliktit” dhe duke theksuar se agresioni rus mbetet pengesa qendrore për një zgjidhje të qëndrueshme.
Të dy ish-zyrtarët thanë se trysnia shtesë duhet të drejtohet ndaj Moskës, jo ndaj Kievit, nëse duhet të krijohen kushte për diplomaci serioze.
Ngecja e diplomacisë
Përpjekjet e fundit të ndërmjetësuara nga SHBA-ja kanë nxjerrë në pah ngërçin. Palët nuk arritën t’i tejkalojnë dallimet mbi territorin dhe garancitë e sigurisë gjatë bisedimeve të mbajtura këtë javë në Gjenevë.
Por, mosmarrëveshjet thelbësore politike, veçanërisht kërkesat territoriale të Rusisë, mbeten të pazgjidhura.
Kryenegociatori rus, Vladimir Medinsky, i përshkroi diskutimet si “të vështira por profesionale”.
Palët u pajtuan vetëm për t’i vazhduar bisedimet, pa shpallur një datë për rundin e ardhshëm.
Ndërkohë, sulmet e vazhdueshme me raketa dhe dronë nga Rusia ndaj infrastrukturës ukrainase nxjerrin në pah hendekun midis diskutimeve diplomatike dhe realiteteve në fushëbetejë.
Përtej ngërçit politik, disa analistë theksojnë faktorë afatgjatë strukturorë që po i formësojnë si luftën ashtu edhe perspektivat për paqe.
George Beebe, një ish-specialist i CIA-s për Rusinë, i cili tani është drejtor i strategjisë së madhe në Quincy Institute, tha se zotimet perëndimore për ta mbështetur Ukrainën “për aq kohë sa të jetë e nevojshme” mbështeten në supozime që mund të zbehen me kalimin e kohës.
Në të njëjtën kohë, theksoi Beebe, edhe nëse Rusia konsolidon kontrollin mbi territoret e pushtuara, ajo do të përballet prapëseprapë me një NATO më të madhe dhe më të bashkuar, një sfidë strategjike që përfitimet në fushëbetejë nuk mund ta zgjidhin.
Llogaritjet në Moskë
Nëse Rusia nuk ndryshon kurs ose nuk përballet me kosto ndjeshëm të rritura, përparimi diplomatik ka mundësi të kufizohet në marrëveshje teknike, si mekanizma të kufizuar armëpushimi, dhe jo në zgjidhjen gjithëpërfshirëse politike të nevojshme për t’i dhënë fund një lufte, kostoja njerëzore dhe rreziqet strategjike të së cilës vazhdojnë të rriten.
Një zyrtar i lartë i administratës amerikane, duke folur në kushte anonimiteti më 20 shkurt, kundërshtoi idenë se mundësia për kompromis është shteruar.