Industria e Gjermanisë nuk ka gjasa të rimëkëmbet plotësisht nga kriza e shkaktuar nga lufta në Ukrainë për shkak të çmimeve të larta të gazit natyror të lëngshëm të importuar, paralajmëroi kreu i kompanisë shumëkombëshe të energjisë RWE Markus Krebber. "Çmimet e gazit në Evropën kontinentale, dhe veçanërisht në Gjermani, janë strukturisht më të larta sot, sepse, në fund të fundit, ne jemi të varur nga importet e LNG", tha Krebber për Financial Times në një intervistë të botuar sot.
“Industria gjermane është në pozitë më të keqe”, përfundon kreu i RWE. “Do të rikuperohet pak, por mendoj se kemi një shkatërrim të konsiderueshëm strukturor të kërkesës në sektorët me intensitet energjie”, shton ai. Çmimet e gazit në Evropë janë ulur 90 për qind nga nivelet më të larta rekord në vitin 2022, por janë mbi mesataren e para krizës dhe pothuajse dy të tretat më të larta se në të njëjtën kohë në 2019, sipas të dhënave nga gjurmuesi i çmimeve të mallrave Argus. Kreu i RWE beson se ish-kancelarja Angela Merkel bëri një gabim në vitin 2011, duke marrë vendimin për mbylljen e termocentraleve bërthamore dhe duke kufizuar alternativën për importimin e gazit rus përmes tubacioneve.